Maqedonci insiston se s’ka rizotim, por sqarim për letrën që ia dërgoi KFOR-it për FSK-në në veri

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka reaguar edhe sot në lidhje me letrën që ia ka dërguar komandantit të KFOR-it, ku thotë se ka sqaruar rrethanat e angazhimit të një njësie të FSK-së në njërën nga komunat në veri të vendit, si dhe ka siguruar atë që nuk ka pasur për qëllim në asnjë rast

Maqedonci insiston se s’ka rizotim, por sqarim për letrën që ia dërgoi KFOR-it për FSK-në në veri

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka reaguar edhe sot në lidhje me letrën që ia ka dërguar komandantit të KFOR-it, ku thotë se ka sqaruar rrethanat e angazhimit të një njësie të FSK-së në njërën nga komunat në veri të vendit, si dhe ka siguruar atë që nuk ka pasur për qëllim në asnjë rast tensionimin e situatës.

Maqedonci tutje thotë se kjo letër ishte sqarim dhe jo rizotim se nuk do të dërgoj FSK-në në veri pa lejen e KFOR-it.

Ai tutje ka thënë se nuk pajtohet me letrën që në vitin 2013 ishte dërguar nga ish-presidenti Hashim Thaçi, por që janë zotuar se do ta respektojnë.

Shkrimi i plotë i Maqedoncit:

S’ka rizotim, por sqarim

Asgjë të re për publikun nuk paraqet letra dërguar Komandantit të KFOR-it për ngjarjen e 24 Nëntorit të vitit 2024, kur Garda Ceremoniale ishte angazhuar në veri të vendit në një cermoni mortore.

Qëllimi i letrës së dërguar është sqaruar edhe më parë dhe ai mbetet i vlefshëm sepse është i vërtetë. Letra në fjalë është dërguar me qëllimin që t’i sqarohen Komandantit të KFOR-it rrethanat e angazhimit të një njësie të FSK-së në njërën nga komunat në veri të vendit, si dhe ta siguroj atë që nuk ka pasur për qëllim në asnjë rast tensionimin e situatës. Në asnjë mënyrë, letra nuk paraqet rizotim dhe nuk mund të interpretohet si rizotim, pasi për angazhimin e FSK-së në veri të Kosovës, ekziston një dokument në fuqi i dhënë si zotim nga ish-Kryeministri Thaçi në prill të vitit 2013, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, nga i cili derivojnë dhe kushtet e operimit e të koordinimit të FSK-së dhe KFOR-it për pjesën veriore të Kosovës.

E ritheksoj, ashtu siç e kam thënë në çdo paraqitje timen publike, që personalisht nuk pajtohem me atë zotim, pasi vazhdoj të mendoj se ka qenë zotim i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë, si dhe me pasoja afatgjata. Mirëpo ashtu siç e kemi deklaruar si Ministri e Mbrojtjes dhe si Qeveri e Kosovës, letrën zotuese të vitit 2013 do ta respektojmë, sepse jemi të përgjegjshëm karshi obligimeve të trashëguara institucionale për aq kohë sa janë në fuqi.

Përgjegjësi e imja dhe e Komandantit të KFOR-it tani kur veçse ekziston zotimi i vitit 2013 i dhënë nga ish Kryeministri Thaçi, është që të sigurojmë njëri-tjetrin që do të bëjmë veprimet e nevojshme për të garantuar që angazhimi ynë ushtarak në veri të bëhet në mënyrë të koordinuar.