Marrëveshja e Brukselit/ Dy vjet pas, zero progres
Janë bërë dy vjet prejse Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kishin arritur Marrëveshjen Bazë në Bruksel. Dokumenti, i cili në opinion u njoh edhe si “Plani Franko-Gjerman” dhe kishte mbështetjen e SHBA-së, duhej të çonte në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Për të u ra dakord

Janë bërë dy vjet prejse Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kishin arritur Marrëveshjen Bazë në Bruksel.
Dokumenti, i cili në opinion u njoh edhe si “Plani Franko-Gjerman” dhe kishte mbështetjen e SHBA-së, duhej të çonte në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Për të u ra dakord dhjetë vjet pasi dy palët nënshkruan Marrëveshjen e parë të Brukselit. E, për t’u “siguruar” se do të zbatohet, ato u pajtuan edhe për Aneksin e Zbatimit gjatë një takimi në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, 2023.
Megjithatë, gjatë dy vjetëve të fundit, në terren ndodhi pothuajse e kundërta e zbatimit të Marrëveshjes.
Ish-kryenegociatori Arifi: As Kosova, as Serbia nuk kanë bërë asnjë hap për implementimin e marrëveshjes së Ohrit
Ish-kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Avni Arifi, ka deklaruar se që nga arritja e marrëveshjes nuk ka pasur asnjë progres konkret në implementimin e saj. Ai është shprehur se një nga pikat kyçe të marrëveshjes, ajo e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që parashihet në pikën e pestë të marrëveshjes së Ohrit, duhet të ishte filluar menjëherë pas nënshkrimit.
Sipas marrëveshjes, Kosova ishte e detyruar të fillonte draftimin e Asociacionit dhe të dërgonte statutin e tij për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, një hap i cili ende nuk është realizuar nga Qeveria e Kosovës.
‘’ Që nga ajo kohë nuk ka ndodhur asgjë. Në marrëveshjen e Ohrit, pika e pestë është e paraparë që menjëherë Kosova të fillojë draftimin e statutit të Asosacionit, konkretisht dërgimin e tij në gjykatën Kushtetuese. Këtë nuk e ka bërë qeveria e Kosovës, ka arsyetime jo është nënshkruar jo nuk është nënshkru’’, tha Arifi për FrontOnline.
Nga ana tjetër, Arifi ka theksuar se Serbia ka shkelur çdo element të marrëveshjes së Ohrit. Pala serbe, sipas tij, e ka injoruar këtë marrëveshje dhe ka bërë veprime që shkelin angazhimet e saj, përfshirë një letër që ajo i ka dërguar Bashkimit Evropian, duke pretenduar se është “liruar nga obligimet”.
‘’Në anën tjetër pala serbe çdo element të marrëveshjes e ka shkel dhe e ka injoruar duke e përfshirë edhe një letër që I ka shkruar Bashkimit Evropian, është liruar nga obligimet natyrisht kjo letër nuk kalon për shkak se në diplomaci kjo letër konsiderohet e pa pranuar’’, deklaroi Arifi.
Në fund Arifi tha se as Kosova dhe as Serbia nuk kanë bërë asnjë hap konkret për implementimin e kësaj marrëveshjeje.
‘’As Kosova as Serbia nuk kanë bërë asnjë hap sa i përket implementimit të marrëveshjes së Ohrit’’, përfundoi Arifi
Spahiu: Serbisë i intereson Asociacioni, Kosovës duhet t’i interesojë hapja e misionit të përhershëm diplomatik në Beograd
Nexhmedin Spahiu, njohës i çështjeve politike, për FrontOnline tha se një nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes së Ohrit është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e që është një kërkesë e Serbisë, ndërsa për Kosovën, kyçe, siç thotë ai, është hapja e misioneve diplomatike të përhershme të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë, që paraqet, siç thotë ai, një njohje de facto dhe të heshtur të shtetit të Kosovës.
‘ Asosacioni është një ndër pikat që është në rol të parë sa i përket interesit të Serbisë. Interesit të Kosovës i përket pika që është hapja e misioneve të përhershme diplomatike të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Kosovë, quhet njohje në heshtje po është njohje de-facto dhe kjo është pikë kryesore për Kosovën’’, tha Spahiu për FrontOnline.
Spahiu deklaron se asnjëra nga ato nuk është realizuar, Serbia ka kërkuar vazhdimisht që Kosova të fillojë implementimin e Asociacionit dhe pastaj vendosë kushte shtesë. Në këtë kuadër, ai shpjegon se qeveria e Kosovës, nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, ka qenë e vetmja që ka insistuar në ekzekutimin e marrëveshjeve vetëm kur Serbia të jetë e gatshme të përmbushë angazhimet e saj.
‘’Nuk është realizuar as njëra as tjetra, sepse Serbia kërkon që Kosova njëherë ta realizojë Asosacionin dhe pastaj të vendosë edhe kushte të tjera. Në ndërkohë që qeveria Kurti është qeveria e parë e Kosovës e cila ka ngulë këmbë që të mos realizojë një pjesë të marrëveshjes pa realizuar edhe Serbia pjesën e vet’’, tha Spahiu.
Spahiu gjithashtu thekson se ky pozicion i qeverisë Kurti është një nga arsyet që ka sjellë një mbështetje të fortë nga populli, ndonëse ka pasur kritika në lidhje me disa aspekte të tjera të qeverisjes.
Sipas tij, realizimi i marrëveshjes së Ohrit është i mundur vetëm kur Serbia të jetë e gatshme të përmbushë angazhimet e saj’
‘’Kjo marrëveshje e Ohrit duhet të realizohet kur Serbia të jetë e gatshme të realizojë pjesën e vet të marrëveshjes ‘’, përfundoi Spahiu.
Muhaxhiri: Marrëveshja e Ohrit, rast i humbur për Kosovën dhe Serbinë
Artan Muhaxhiri, njohës i çështjeve politike, vlerëson se marrëveshja e Ohrit ka qenë një mundësi e humbur për të dyja shtetet, pasi një marrëveshje finale do të kishte hapur mundësi të reja për Kosovën, përfshirë njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare.
‘’ Marrëveshja e Ohrit është një rast i humbur edhe për Kosovën edhe për Serbinë, sepse për të dyja shtetet dhe për të dy popujt do të ishte shumë më mirë nëse do të arrihej një marrëveshje finale. Kjo do të vlente sidomos për Kosovën sepse do t’i hapte rrugën edhe drejt njohjeve të reja drejt njohjeve të reja, drejt anëtarësimeve të reja p’’, tha Muhaxhiri për Frontonline.
Muhaxhiri tregon gjithashtu se nuk ka shumë optimizëm për realizimin e një marrëveshjeje në të ardhmen, për shkak të ndryshimeve në politikën ndërkombëtare, duke përmendur si një faktor të mundshëm ndikimin e qasjes të presidentit Trump ndaj dialogut, e cila mund të përkeqësojë më tej situatën.
‘’Një problematikë e madhe do të jetë edhe qasja e Trump ndaj dialogut kur vjen momenti sepse po e shohim edhe në Ukrainë edhe në Gaza që presidenti ka një qasje të pazakontë e të paparashikueshme dhe mendoj që e njëjta do të ndodhë edhe me Kosovën e Serbinë. Kjo do t’i komplikojë gjerat, prandaj nuk ka shumë optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje’’ ,përfundoi Muhaxhiri