A e dini se një master në Zvicër është shpallur numër 1 në botë?

A e dini se një program master në Zvicër është renditur në vendin e parë në botë? Programi Master në Strategji dhe Menaxhim Ndërkombëtar i Universitetit të St. Gallenit (HSG) është shpallur numër një në renditjen “Masters in Management 2026” të Financial Times. Ky vlerësim e vendos universitetin zviceran në krye të një liste prestigjioze të programeve ndërkombëtare të menaxhimit, transmeton albinfo.ch.
Sipas Universitetit të St. Gallenit, kjo është hera e 15-të që programi arrin pozicionin e parë në këtë renditje, duke vendosur një rekord të ri. Financial Times i krahason programet master në menaxhim në mbarë botën duke marrë parasysh faktorë të ndryshëm, përfshirë mundësitë e punësimit pas diplomimit, diversitetin, qëndrueshmërinë, objektivat e arritura dhe shërbimet që universitetet ofrojnë për zhvillimin e karrierës.
Programi në St. Gallen i kushton rëndësi përgatitjes akademike, përvojës praktike, zhvillimit personal dhe udhëheqjes së përgjegjshme. Ai tërheq studentë nga vende të ndryshme të botës, veçanërisht të rinj me perspektivë ndërkombëtare dhe frymë sipërmarrëse. Renditja e vitit 2026 nënvizon edhe pozitën e Zvicrës si një destinacion i rëndësishëm për arsimin e lartë dhe përgatitjen profesionale në fushën e biznesit./Albinfo.ch
The post A e dini se një master në Zvicër është shpallur numër 1 në botë? appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



