Mbështetësit e Kurtit ngritën tre gishtat lartë në tubimin në Skënderaj, Çitaku: Marre – çka saktësisht keni dashur t’u thoni drenicasve?
Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas gjobës në vlerë prej 35 mijë euro që PZAP i shqiptoi VV’së, ku një ndër ankesat ishte edhe për ngritjen e tre gishtave lartë nga mbështetësit e VV’së gjatë tubimit në Skënderaj. Çitaku e ka quajtur këtë akt të shëmtuar, teksa ka thënë se […]

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas gjobës në vlerë prej 35 mijë euro që PZAP i shqiptoi VV’së, ku një ndër ankesat ishte edhe për ngritjen e tre gishtave lartë nga mbështetësit e VV’së gjatë tubimit në Skënderaj.
Çitaku e ka quajtur këtë akt të shëmtuar, teksa ka thënë se është provokim, përmbuzje e urrejtje.
“Ne Drenicë me tre gishta?! E pashë Zotin, çka saktësisht keni dashur t’u thoni drenicasve?! Ky akt i shëmtuar nuk është vetëm provokim. Është përbuzje. Urrejtje. Patologji. Vend i vogël jemi për ta përtypur gjithë këtë vrer e helm. Marre!”, ka shkruar Çitaku.
Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka gjobitur Lëvizjen Vetëvendosje me 35 mijë euro për dhjetë ankesa të reja që ka dorëzuar Partia Demokratike e Kosovës. Një prej ankesave ka qenë lidhur me tubimin e mbajtur javën e kaluar në Skenderaj, ku sipas ankesës, mbështetësit e VV’së të mbledhur në këtë tubim kishin ngritur tre gishta lartë, simbol nacionalist serb, i përdorur nga forcat paramilitare serbe në luftërat në Ballkan.
Në ankesën e dorëzuar nga PDK’ja pretendohet se me 27 janar 2025 në tubimin e mbajtur në Skënderaj, janë publikuar disa fotografi, në rrjetet sociale dhe mediat elektronike të mbështetësve të LVV’së, të mbledhur në këtë tubim, “duke ngritur tre gishta lartë, gjest i cili është simbol ekskluziv serb, i cili në tre vitet e fundit ka marrë ngjyrime nacionaliste, pasi u përdor nga forcat paramilitare serbe në luftërat e zhvilluara në Ballkan”.
Kjo ankesë është aprovuar si e bazuar.