Dy mbrëmje, një plagë: Gjeneva kërkon përgjigje për të zhdukurit e Kosovës

Dy mbrëmje, një plagë: Gjeneva kërkon përgjigje për të zhdukurit e Kosovës

Njëzet e shtatë vjet pas luftës, familjet e personave të zhdukur vazhdojnë të presin përgjigje. Më 30 gusht, Gjeneva u bë sërish vendi ku u kërkuan e vërteta, hapja e arkivave dhe drejtësia. Por e njëjta ditë solli edhe dy organizime të veçanta për të njëjtën kauzë, duke nxjerrë në pah mes pjesëmarrësve edhe çështjen e koordinimit.

27 pas luftës në Kosovë, mbi 1.500 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur pas shifrave janë emra, familje dhe njerëz që ende presin të mësojnë se çfarë ka ndodhur me më të dashurit e tyre

Më 30 gusht, në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, kjo plagë e pambyllur e Kosovës u soll në vëmendje edhe në Gjenevë, përmes aktiviteteve të ndryshme që mblodhën familjarë, përfaqësues institucionalë, diplomatë, aktivistë dhe pjesëtarë të diasporës shqiptare.

Gjatë ditës u zhvillua Marshi për Drejtësi, i organizuar nga Shoqata Kulturore “Dora d’Istria”, në bashkëpunim me shoqata dhe organizata partnere. Pjesëmarrësit marshuan në Gjenevë duke kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nga lufta e Kosovës.

Në të njëjtën ditë, por në një program të veçantë, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, në bashkëpunim me Jardin des Disparus, organizoi në Meyrin një sërë aktivitetesh përkujtimore.

Nga “Ende duke pritur?” te “Ferdonija”

Programi i Konsullatës nisi në orën 11:00 me hapjen e ekspozitës “Ende duke pritur?” të artistit Artan Korenica. Në orën 18:00 aktivitetet vazhduan me një tryezë diskutimi kushtuar personave të zhdukur, ndërsa në orën 20:00 u shfaq dokumentari “Ferdonija”, në gjuhën shqipe me titra në anglisht.

Në aktivitet ishin të pranishëm ambasadori i Republikës së Kosovës Mentor Latifi, konsullja Floreta Kabashi, Agron Limani, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, udhëheqës i njësisë së këtij Komisioni, bashkëpresidentet e Jardin des Disparus Jenny Bettancourt dhe Catherine Haus, kryetarja e Meyrin-it Xhevrie Osmani, familjarë të personave të zhdukur, përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe mysafirë të tjerë.

Mes të pranishmëve ishte edhe Ueli Leuenberger, ish-këshilltar kombëtar dhe ish-president i të Gjelbërve të Zvicrës, i njohur për angazhimin e tij shumëvjeçar në mbështetje të komunitetit shqiptar dhe Kosovës. Themelues i Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë, Leuenberger ka qenë ndër vite i pranishëm në nisma dhe aktivitete të lidhura me Kosovën dhe çështjen shqiptare.

Megjithatë, peshën më të madhe të mbrëmjes e bartnin familjarët. Pas diskutimeve për arkiva, institucione dhe procese politike qëndrojnë njerëz që prej 27 vitesh presin një përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.

“Familjet kanë pritur gjatë”

Në fjalën e saj, konsullja Floreta Kabashi theksoi se tryeza synonte ta trajtonte çështjen e personave të zhdukur në një rrafsh konkret dhe institucional: ku ndodhet procesi, cilat janë sfidat dhe cila është rruga përpara.

Duke rikujtuar të drejtën e familjeve për të ditur të vërtetën, ajo dha një mesazh të qartë:

“Familjet kanë pritur gjatë dhe kanë të drejtë të marrin përgjigje.”

Kabashi bëri thirrje për angazhim më të madh të bashkësisë ndërkombëtare dhe për rritjen e presionit ndaj Serbisë që të hapë arkivat dhe të ofrojë informacionet që mund të ndihmojnë në gjetjen e personave të zhdukur.

Edhe Agron Limani e vendosi familjen në qendër të diskutimit, duke e cilësuar çështjen e personave të zhdukur si një nga plagët më të rënda që mbeten pas një lufte.

“Për familjet, lufta nuk përfundoi plotësisht me largimin e forcave policore, ushtarake e paraushtarake serbe, sepse mungesa e informacionit për fatin e të afërmve vazhdon të jetë pjesë e jetës së tyre.”

Dy pengesa: informacioni dhe koha

I pyetur nga Albinfo.ch për vështirësitë konkrete që vazhdojnë ta pengojnë kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur, Kushtrim Gara veçoi dy sfida kryesore: mungesën e informacioneve të besueshme dhe faktorin kohë.

Sipas tij, mungesa e informacioneve lidhet drejtpërdrejt edhe me mungesën e bashkëpunimit të palës serbe, përfshirë qasjen në arkiva dhe zbatimin e zotimeve të marra deri më tani.

Ndërkohë, 27 vjet pas luftës, kalimi i kohës po e bën procesin edhe më të vështirë: brezat ndërrohen, puna në terren bëhet më komplekse dhe mbetjet mortore, në shumë raste të zhvendosura apo të fragmentuara, e vështirësojnë identifikimin.

Gara e përmblodhi këtë realitet me një fjali që preku thelbin e diskutimit:

“Nëse koha i shëron plagët, e kundërta është te familjet dhe familjarët e personave të zhdukur. Koha po e rëndon edhe më shumë këtë plagë të hapur.”

Edhe Catherine Haus, bashkëpresidente e Jardin des Disparus, foli për bashkëpunimin e vazhdueshëm me komunitetin shqiptar dhe për nevojën që angazhimi për personat e zhdukur dhe familjet e tyre të vazhdojë së bashku.

Në sallë ndodheshin edhe familjarë të personave të zhdukur, mes tyre Lutfije Ademi Vokshi, motra e Dr. Adem Ademit.

Programi i Konsullatës u përmbyll me dokumentarin “Ferdonija”, duke e zhvendosur vëmendjen nga mekanizmat institucionalë te dimensioni më njerëzor i kësaj tragjedie: pritja, kujtesa dhe dhimbja e familjeve.

Dy mbrëmje, një plagë

Por 30 gushti në Gjenevë nxori në pah edhe një realitet tjetër.

Për të njëjtën kauzë, në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin qytet, u zhvilluan dy organizime të veçanta. Njëri lidhej me Marshin për Drejtësi dhe aktivitetet që e shoqëruan atë, ndërsa tjetri ishte programi i Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës dhe Jardin des Disparus.

Në aktivitetin tjetër ishte i pranishëm edhe Andin Hoti, ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare në Qeverinë e Kosovës, njëherësh djali i veprimtarit dhe intelektualit Ukshin Hoti, fati i të cilit vazhdon të mbetet i pazbardhur. Për Andin Hotin, çështja e personave të zhdukur ka një dimension të dyfishtë: institucional, por edhe thellësisht personal.

Disa prej bashkatdhetarëve që morën pjesë në aktivitetin e Konsullatës kaluan më pas në organizimin tjetër. Në bisedat mes tyre shtrohej edhe pyetja se përse, për një kauzë që i bashkon të gjithë, aktivitetet ishin organizuar ndaras

Kjo nuk është domosdoshmërisht dëshmi e një përçarjeje dhe as mund të interpretohet si e tillë pa fakte, por pyetja për koordinimin mbetet legjitime, veçanërisht kur bëhet fjalë për një temë që, përtej institucioneve, organizatave apo individëve, prek një plagë të përbashkët.

Sepse të gjithë ishin aty për të njëjtën arsye: për ata që mungojnë.

Dy mbrëmje. Një qytet. Një datë. E njëjta plagë.

Familjet e personave të zhdukur nuk kërkojnë vetëm përkujtim. Ato kërkojnë informacion, të vërtetën dhe të drejtën për të ditur se çfarë ka ndodhur me njerëzit e tyre.

Pas 27 vitesh, ndoshta pikërisht këtu qëndron edhe mesazhi më i fuqishëm i 30 gushtit në Gjenevë:

Aktivitetet mund të organizohen ndaras. Por dhimbja, kujtesa dhe kërkimi për të vërtetën janë të përbashkëta

Dhe koha, siç u tha atë mbrëmje, “po e rëndon edhe më shumë këtë plagë të hapur”.

Zamira Bytyqi, Gjenevë

 

The post Dy mbrëmje, një plagë: Gjeneva kërkon përgjigje për të zhdukurit e Kosovës appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.