Mali i Zi “mbron” Kosovën, brenda 10 ditësh i bllokon 103 tonë mish të skaduar nga Brazili

Mali i Zi “mbron” Kosovën, brenda 10 ditësh i bllokon 103 tonë mish të skaduar nga Brazili

Po të mos i ndalonte dogana e Malit të Zi, 103 tonë mish të skaduar nga Brazili do të hynin në Kosovë në dhjetë ditët e fundit.

Sipas njoftimeve zyrtare nga autoritetet e Malit të Zi, katër kontejnerë me këtë sasi mishi janë kapur derisa po tentonin të hynin në Portin e Tivarit me destinacion Kosovën.

Njëra ngarkesë është kapur me 15 shtator dhe tjetra me 23 shtator. Autoritetet malaziase kanë bërë të ditur se ato janë importuar nga kompania “Apetit”. Dogana e Malit të Zi ka thënë se në Tivar kanë qenë të angazhuar nga kjo kompani persona me pajisje për falsifikimin e tiketave të datave të skadimit.

“Inspektimi i mëtejshëm përcaktoi se, në objektin e magazinimit të ftohtë në Portin e Tivarit, punëtorë të angazhuar nga kompania kosovare, duke përdorur një mjet për heqjen dhe vendosjen e etiketave, kishin larguar deklaratat origjinale, në të cilat ishte shënuar afati i skaduar i përdorimit të mishit të ngrirë të viçit. Më pas, në produktet përkatëse ishin vendosur deklarata të reja, të falsifikuara, me një afat të ri ose të ndryshuar të përdorimit”, pati thënë Dogana për tre kontejnerët e parë të kapur.

E ndryshimi i etiketave te më shumë se 77 mijë kilogramë është rikujtuar edhe në njoftimin e së premtes për kontejnerin e katërt të kapur me mish pa afat.

Në njoftim po ashtu thuhet se përmes komunikimit me administratat doganore të vendeve fqinje, është konstatuar se parregullsi në lidhje me këtë kompani janë evidentuar edhe në Portin e Durrësit.

“Përmes komunikimeve me administratat e doganave fqinje, u konstatua se parregullsi lidhur me këtë kompani janë identifikuar edhe në Portin e Durrësit; informacioni për këto raste u mbledh dhe u shkëmbye me administrata doganore kompetente. Organizata Botërore e Doganave është informuar mbi ngjarjet e lartpërmendura në mënyrë që administratat e tjera doganore të jenë në dijeni të kësaj metode të tentativës për shpërndarjen e mishit”, thuhet në njoftimin e publikuar të premten në mëngjes.

KOHA ka tentuar të marrë prononcime nga autoritetet kompetente kosovare edhe më 15 shtator, por edhe sot gjatë ditës për masat që do të ndërmerren, por edhe për bashkëpunimin rajonal për zbulimin e më shumë detajeve, por nuk ka marrë përgjigje. Pasdite Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka shkruar në Facebook se agjencia ka ngritur nivelin e masave të kontrollit ndaj operatorit në fjalë.

AUV-ja ka paralajmëruar masa ekzekutive varësisht nga gjetjet që burojnë nga kontrollet.

Ndërkaq kompania “Apetit” afatin e skaduar është përpjekur ta arsyetojë me vonesat e transportit. Megjithatë, sipas reagimit të transmetuar nga televizioni publik, nuk është përmendur asgjë lidhur me deklarimet e Doganës së Malit të Zi për falsifikim të etiketave.

Ministria e Tregtisë nga ana tjetër dhe as Policia e Kosovës nuk janë përgjigjur në pyetjet nëse do të ketë hetim për këto raportime, për të cilat nuk janë bërë për herë të parë sivjet. Edhe më 2024, një gjë e tillë qe raportuar për import të mishit të skaduar nga Porti i Durrësit qysh nga viti 2022, sipas mediave të Shqipërisë. Asokohe AUV-ja pati dalë me njoftim se pas inspektimeve nuk ka gjetur mish të dyshimtë te kjo kompani.

Drejtori i qendrës “Alert”, Granit Sokolaj, importin e mishit me afat të skaduar nga Brazili e konsideron të rrezikshëm për qytetarët e Kosovës dhe të Shqipërisë.

“Në fakt unë e kam ndjekur historinë e tregut të mishit në Kosovë, që në muajin shkurt dhe do të doja ta përkufizoja me një skandal që rrezikon shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës dhe qytetarëve të Shqipërisë. E them edhe të Shqipërisë një, pjesë e atij mishi vjen edhe në Shqipëri, qoftë mish, qoftë edhe produkte mishi”, ka thënë Sokolaj.

Ai vlerëson se në mungesë të një baze ligjore që përcakton blerjen e mishit nga stabilimente të miratuara në Bashkimin Evropian, importohet mish me kualitet të dobët.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, gjatë gjithë kohës apo sa herë ka pasur problem me mishin vitet e kaluara, vitet më përpara, që deklaronte se mishi i Kosovës, pra i Brazilit, vinte nga stabilimente të miratuara nga Bashkimi Evropian. Në fakt AUV-ja ka gënjyer, zyrtarisht e kanë pranuar në komunikimet që kemi pasur ne si qendra “Alert”, si një OJQ, që merremi me mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë dhe në Shqipëri, e kanë pranuar që nuk kanë bazë ligjore, pra nuk kanë bazë ligjore që të marrin mish nga stabilimente të miratuara, pra marrin ku të duan importuesit, ku është më lirë, qoftë edhe të skaduar”, ka theksuar Sokolaj.

Në Tivar kapet edhe një kontejner me mish me afat të skaduar, i destinuar për Kosovë
Nga 3 shtatori i këtij viti, Bashkimi Evropian ka pezulluar importin e disa produkteve shtazore nga Brazili, për shkak të mungesës së garancive të kërkuara sipas standardit evropian.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.