Mediat maqedonase shkruajnë për përplasje mes ‘integristëve’: “Tabori i Grubit përplaset me BDI-në”!

Akuzat e reja të ngritura kundër Artan Grubit për keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore, siç duket, hapin edhe një front tjetër, brenda vetë BDI-së, shkruajnë disa media në gjuhën maqedonase.
Bulevar.mk shkruan se Përderisa kryesia e partisë i mat me kujdes fjalët, nga tabori i Grubit po mbërrijnë akuza gjithnjë e më të zëshme se ish-zëvendëskryeministri është lënë vetëm për ta zhvilluar betejën e tij.
Aktivisti i lartë partiak i BDI-së, Artin Spahiu, publikisht pretendon se Grubi është lënë vetëm në këtë betejë, pa “zërin dhe aktivitetin e organizatës sonë”, transmeton portali Lideri.mk.
Spahiu thërret drejtpërdrejt në përgjegjësi kryesinë aktuale partiake, të cilën e quan “politbyro”, dhe rikujton se një pjesë e anëtarëve të saj i kanë ndërtuar pozitat e tyre me mbështetjen e Grubit pas kongresit partiak në dhjetor të vitit 2019 dhe zgjedhjeve të mëvonshme brendapartiatike.
Veçanërisht i fuqishëm është mesazhi i tij për ndryshimin e qëndrimit të funksionarëve ndaj Grubit.
“Dikush e thërriste ‘shef’, dikush ‘vëlla’, dikush ‘king’, kurse shumica ishin ngjitur pas tij si kërmijtë në pemë”, shkruan Spahiu, duke shtuar se tani po shihej qartë “se kush është kush”./Lideri
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



