Mediat në gjuhën gjermane: “Zgjedhjet në Kosovë, zgjedhje për ose kundër Kurtit”

I gjithë kompleksiteti i çështjes së zgjedhjeve, në shtypin në gjuhën gjermane reduktohet kryesisht në dilemën Kurti ose të tjerët apo VV kundër të tjerëve The post Mediat në gjuhën gjermane: “Zgjedhjet në Kosovë, zgjedhje për ose kundër Kurtit” appeared first on Albinfo.

Mediat në gjuhën gjermane: “Zgjedhjet në Kosovë, zgjedhje për ose kundër Kurtit”

“Për ose kundër Kurtit”. Kjo është klisheja e pothuajse të gjithë artikujve të shtypit në gjuhën gjermane që merren me zgjedhjet e sotme në Kosovë. I gjithë kompleksiteti i çështjes së zgjedhjeve reduktohet në dilemën Kurti ose të tjerët apo VV kundër të gjithëve, shkruan albinfo.ch.

Kështu, gazeta zvicerane Tages Anzeiger, në një artikull të zgjeruar dhe të ilustruar me shumë fotografi raporton nga qendra e votimit në Konsullatën e Kosovës në Cyrih. Titulli i tekstit në fjalë është “Për ose kundër Kurtit” ndersa në brendi shpreh dilemat dhe pritjet e shumë votuesve kosovarë në Zvicër, në lidhje me zgjedhjen ose jo të Kurtit dhe partisë së tij, Vetëvendosje.

Ndërsa gazeta gjermane tages Spiegel, artikullit rreth zgjedhjeve të sotme në Kosovë i ka vënë titullin “Partia qeverisëse është favorite: zgjedhjet parlamentare në Kosovë kanë filluar”dhe vazhdon:  Qytetarët e Kosovës zgjedhin parlamentin e ri. Kryeministri Albin Kurti është favorit në garë – por një shumicë absolute duket e paarritshme këtë herë.

Tages Spiegel: VV favorite por pa gjasa për të fituar 50% të votave

Rreth dy milionë qytetarë janë thirrur të votojnë që nga ora 07:00. Partia e majtë reformuese kombëtare e kryeministrit Albin Kurti, Vetëvendosje (Vetëvendosje) është favoritja e qartë, transmeton albinfo.ch. Megjithatë, ndryshe nga katër vjet më parë, këtë herë nuk ka gjasa të arrijë një shumicë absolute prej më shumë se 50 për qind të votave.

Konkurrentët kryesorë janë PDK (që gazeta e quan “liberale”) dhe LDK (“djathtiste”). Dhjetë nga 120 vendet parlamentare janë të rezervuara për grupin etnik serb dhe dhjetë të tjera për pakicat e tjera.

Kosova është një kandidat potencial për anëtarësim në BE. Është hera e parë që nga viti 2010, që një legjislaturë parlamentare ka arritur të shterojë mandatin e tij katërvjeçar. Kosova, në vitin 2008 ka shpallur pavarësinë e saj.

Duke qenë se Serbia ende nuk e njeh këtë hap, ka tensione të forta mes dy vendeve. Qeveria në Beograd po shfrytëzon gjithashtu popullatën serbe, e cila jeton në një zonë kompakte  në pjesën veriore të Kosovës.

Politika e Kurtit, e kritikuar nga partnerët ndërkombëtarë 

Gjatë sundimit të tij, Kurti arriti të eliminojë strukturat paralele të operuara nga Serbia në veri të Kosovës. Ndër të tjera, ai ndaloi përdorimin e dinarit serb si mjet pagese dhe mbylli postat serbe. Partnerët perëndimorë e kritikuan për këtë, por kjo i dha atij më shumë miratim në popullatën e Kosovës, përcjell albinfo.ch. Në të njëjtën kohë, Kurti akuzohet se ka mbajtur vetëm disa nga premtimet e tij ambicioze për reforma.

Ndërsa televizioni Euronews në gjuhën gjermane, në raportin e tij shkruan se zgjedhjet e sotme pritet të jenë një test vendimtar për kryeministrin Albin Kurti. Katër vjet më parë, partia e tij në pushtet fitoi një fitore dërrmuese.

Për herë të parë që nga pavarësia në vitin 2008, parlamenti i Kosovës ka përfunduar një mandat të plotë katërvjeçar.
Kurti nga lëvizja Vetëvendosje konsiderohet favorite, por nuk ka gjasa të marrë shumicën absolute.

Partitë e tjera të mëdha janë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), liderët kryesorë të së cilës janë paditur nga Tribunali i Hagës për krime lufte dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), partia më e vjetër në vend, e cila humbi shumë nga mbështetja e saj pas vdekjes së liderit të saj Ibrahim Rugova në 2006.

FAZ: Albin Kurti është sërish favorit

Në zgjedhjet e sotme parlamentare në Kosovë, kryeministri në detyrë Albin Kurti është sërish favorit. Ai është kritikuar ndërkombëtarisht për politikën e tij të pakompromis ndaj pakicës serbe në veri të vendit por ka fituar pikë në mesin e popullatës shumicë, shqiptare shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Gjatë fushatës zgjedhore, partitë premtuan të rrisin pagat dhe pensionet e sektorit publik, të përmirësojnë arsimin dhe shërbimet shëndetësore dhe të luftojnë varfërinë. Megjithatë, ato nuk sqaruan se nga do të vinin paratë dhe si do të tërhiqnin më shumë investime të huaja.

“Ne kemi një plan për çdo qytet, çdo familje, çdo person”, thotë Bedri Hamza nga PDK-ja. “Ne kemi një alternativë për të garantuar një jetë më të mirë në Kosovë”, thotë Lumir Abdixhiku nga LDK-ja.

Kosova, me 1.6 milionë banorë, është një nga vendet më të varfra në Evropë me një prodhim të brendshëm bruto vjetor prej më pak se 6000 euro për person.

Votimi do të përcaktojë gjithashtu se kush do t’i udhëheqë bisedimet e bllokuara të normalizimit të Kosovës me Serbinë fqinje, të cilat mbështeten nga Bashkimi Evropian për t’i sjellë të dyja palët më afër anëtarësimit në bllok.

Bisedimet e normalizimit të ndërmjetësuara nga BE me Serbinë morën pak vëmendje gjatë fushatës zgjedhore.
“BE pret që qeveria e re e Kosovës të marrë pjesë në mënyrë konstruktive në dialogun e normalizimit me Serbinë. Kjo është thelbësore në rrugën e integrimit të Serbisë dhe Kosovës”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Si BE ashtu edhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje të dyja palëve Të zbatohen marrëveshjet e arritura gjatë viteve të fundit, të cilat përfshijnë angazhimin e Kosovës për të krijuar një asociacion të komuniteteve të ndikuar nga serbët, trasnmeton albinfo.ch. Serbia pritej gjithashtu të zbatonte njohjen de facto të Kosovës.

The post Mediat në gjuhën gjermane: “Zgjedhjet në Kosovë, zgjedhje për ose kundër Kurtit” appeared first on Albinfo.