“Rusia nuk i mban të gjitha kartat”, Starmer: Trump ka krijuar një mundësi, por mbështetja e SHBA është jetike për Ukrainën
Kryeministri britanik, Keir Starmer i është bashkuar virtualisht samitit për Ukrainën, teksa u shpreh se Donald Trump ka ndryshuar bisedën globale gjatë javëve të fundit dhe ka krijuar një mundësi. Ndryshe nga presidenti amerikan, Starmer u shpreh se “Rusia nuk i mban të gjitha kartat në këtë luftë”. “Për tre vjet, ne kemi qenë të [...]Read More...

Kryeministri britanik, Keir Starmer i është bashkuar virtualisht samitit për Ukrainën, teksa u shpreh se Donald Trump ka ndryshuar bisedën globale gjatë javëve të fundit dhe ka krijuar një mundësi. Ndryshe nga presidenti amerikan, Starmer u shpreh se “Rusia nuk i mban të gjitha kartat në këtë luftë”.
“Për tre vjet, ne kemi qenë të bashkuar në kundërshtimin e pushtimit barbar të Rusisë. Për tre vjet, ne kemi qenë plot admirim për reagimin e pabesueshëm të popullit ukrainas. Zërat e tyre duhet të jenë në qendër të përpjekjes për paqe.“, u shpreh kryeministri britanik duke shtuar më tej:
“Tani ne duhet t’i rregullojmë bazat e duhura. Nëse duam që paqja të vazhdojë, Ukraina duhet të ketë një vend në tryezë. Dhe një zgjidhje duhet të bazohet në një Ukrainë sovrane të mbështetur me garanci të forta sigurie. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme ta mbështesë këtë me trupa në terren me evropianët e tjerë dhe me kushtet e duhura në vend. Dhe në fund të fundit një mbështetje e SHBA-së do të jetë jetike për të penguar Rusinë nga nisja e një pushtimi tjetër brenda pak vitesh.”
Ai thotë se vendet e Grupit të Shtatë (G7) “duhet të jenë gati për të marrë më shumë rrezik”. Kjo, sipas tij, përfshin kufirin e çmimit të naftës që sanksionon gjigantët e naftës ruse dhe ndjekjen e bankave.