Merzi dështon të sigurojë shumicën për kancelar të Gjermanisë
AfD-ja bën thirrje për zgjedhje të reja në Gjermani The post Merzi dështon të sigurojë shumicën për kancelar të Gjermanisë appeared first on Albinfo.

Friedrich Merz ka dështuar të marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë kancelar i Gjermanisë në votimin e parë në Parlament.
Ai arriti vetëm 310 vota, ndërkaq i nevojiteshin 316.
Seanca është shtyrë në mënyrë që grupet politike të mund të konsultohen për hapat e ardhshëm.
Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e Republikës Federale.
Për t’u zgjedhur kancelar, kandidatit i duhet të sigurojë votat e shumicës absolute të anëtarëve të Bundestagut (50% plus një votë).
Bundestagu i ka 14 ditë për të zgjedhur një kandidat tjetër për kancelar apo ta votojë prapë Merzin në rundin e dytë.
Nëse dështon zgjedhja e kancelarit në raundin e dytë atëherë shkohet në raundin e tretë ku zhvillohet një votim përfundimtar i menjëhershëm.
Kësaj here, kandidati që merr shumicën e votave – edhe nëse jo domosdoshmërisht mbi 50%, konsiderohet i zgjedhur.
Në këtë pikë, presidenti i Gjermanisë vendos çfarë ndodh më tej.
Nëse fituesi ka shumicë absolute, presidenti duhet ta emërojë kancelar.
Nëse fituesi ka vetëm shumicë relative: presidenti mund ose ta emërojë kancelar, ose të shpërndajë Bundestagun dhe të caktojë zgjedhje të reja.
Konservatorët e Merzit të hënën nënshkruan zyrtarisht marrëveshjen për koalicion me Partinë Socialdemokrate. Aleanca CDU/CSU e Merzit dhe SDP-ja bashkë kanë 328 deputetë.
Merzi dhe partnerët janë zotuar për ringjallje të ekonomisë e rindërtim të ushtrisë. 69-vjeçari është zotuar po ashtu për të frenuar emigracionin e parregullt dhe rritjen e partisë kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë që javën e shkuar u shpall grup ekstremist i krahut të djathtë nga shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë.
Liderja e partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), Alice Weidel, e ka shijuar dështimin e Friedrich Merzit në rundin e parë të votimit për t’u zgjedhur kancelar, teksa ka bërë thirrje për zgjedhje të reja.
“Merzi duhet të tërhiqet dhe rruga duhet të lirohet për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme”, ka thënë ajo para gazetarëve, duke e cilësuar rezultatin e sotëm si një “ditë të mirë për Gjermaninë”.
The post Merzi dështon të sigurojë shumicën për kancelar të Gjermanisë appeared first on Albinfo.