Mexhiti: Në Serbi fitoi ndryshimi, humbja e Vuçiqit goditje për modelin autokratik të qeverisjes

Mexhiti: Në Serbi fitoi ndryshimi, humbja e Vuçiqit goditje për modelin autokratik të qeverisjes

Bashkëkryetari i VLEN, Izet Mexhiti ka komentuar përmes një postimi humbjen e Aleksandar Vuçiqit në Serbi, por ndërkohë, ka përshëndetur rezultatin e unitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, ku u arrit fitorja e dy deputetëve.

Ja postimi i tij:

Në Serbi fitoi ndryshimi!
Pas 14 vitesh në pushtet, me kontroll pothuajse absolut mbi institucionet dhe jetën politike, Aleksandar Vuçiq sot pësoi një debakël të vërtetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Humbja e tij është goditje ndaj modelit autokratik të qeverisjes dhe një mundësi për shkëputjen e Serbisë nga trashëgimia politike e Millosheviqit dhe nacionalizmi që përgjakën Ballkanin.
Kontrolli mbi mediat, presioni ndaj kundërshtarëve dhe kapja e institucioneve nuk arritën ta bëjnë pushtetin e Vuçiqit të përjetshëm. Rasti i tij dëshmon se asnjë lider nuk është i pazëvendësueshëm dhe se asnjë pushtet nuk është më i fortë se vullneti i qytetarëve.
Fundi i dominimit të Vuçiqit mund të shënojë edhe fundin e projektit të tij për dominim rajonal përmes “Open Balkan”. Përtej premtimeve për bashkëpunim ekonomik, kjo iniciativë u perceptua nga shumëkush si një projekt që rrezikonte të forconte peshën politike dhe ekonomike të Serbisë në rajon. Një Serbi që ndryshon politikisht krijon hapësirë për një qasje të re ndaj bashkëpunimit rajonal: më progresive, më gjithëpërfshirëse dhe të mbështetur në partneritet, reciprocitet dhe barazi mes shteteve sovrane. Ballkani i hapur duhet të jetë një Ballkan i barabartë, jo një rajon nën hijen e ambicieve dominuese të askujt.
Demokracia jeton përmes rotacionit politik dhe llogaridhënies. Politikanët nuk janë pronarë të shtetit, por përfaqësues të qytetarëve, të cilët kanë fuqinë t’ua japin dhe t’ua marrin mandatin.
Ndërkaq, për shqiptarët e Luginës së Preshevës, mesazhi nga zgjedhjet e sotme është po aq i rëndësishëm: bashkimi dhe bashkëpunimi i forcave politike mundësuan sigurimin e të paktën dy mandateve shqiptare në Parlamentin e ri. Kjo është rruga që na çon përpara si komb: bashkimi i forcave, bashkëpunimi dhe veprimi i përbashkët!


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.