Vjosa Osmani pas vrasjes së gruas në Vitromiricë: Përgjegjësia nuk mund të varroset bashkë me Arlindën

Ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas rastit të rëndë në Vitomiricë të Pejës, ku Arlinda Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj.
Në reagimin e saj në Facebook, Osmani ka kritikuar sistemin e drejtësisë, duke theksuar se Arlinda kishte kërkuar mbrojtje, por përfundoi e vrarë.
“Përgjegjësia nuk mund të varroset bashkë me Arlindën. Ajo kërkoi mbrojtje. Drejtësia e la në duart e vrasësit”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka përmendur se femicidi po shndërrohet në një plagë të përsëritur në Kosovë, duke vënë në pah dështimin e sistemit për t’u garantuar mbrojtje grave që përballen me dhunë.
“Kur një grua kërkon shpëtim nga sistemi i drejtësisë dhe përfundon e vrarë, dështimi nuk është burokratik. Është fatal. Kunati i saj e vrau Arlindën me sëpatë, por edhe sistemi që duhej ta mbronte duhet të japë llogari. Dhe kjo përgjegjësi nuk mund të varroset bashkë me viktimën. Zoti e ruajtë Kosovën nga tragjedi të tilla dhe asnjë familje mos e përjetoftë më dhimbjen e humbjes së një gruaje nga dhuna”, shkroi Osmani.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



