Sali-Millaniq: Procesi i anëtarësimit të jetë i drejtë dhe i parashikueshëm

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, zhvilloi takim me ambasadorin e Malit të Zi, Zoran Millaniq, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet bilaterale, procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit institucional.
Siç bëri të ditur MÇE, Sali përgëzoi përparimin e Malit të Zi në negociatat e anëtarësimit dhe rikonfirmoi mbështetjen e Maqedonisë së Veriut për ambicien e tij për t’u bërë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian. Ai theksoi se ky përparim është një sinjal inkurajues për rajonin dhe për besueshmërinë e politikës së zgjerimit.
Në takim u shqyrtuan mundësitë për intensifikimin e shkëmbimit të ekspertizës, duke u mbështetur në Marrëveshjen për bashkëpunim në kontekstin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, të nënshkruar në vitin 2012. Fushat me interes përfshijnë koordinimin e negociatave, përafrimin me legjislacionin evropian, reformën e administratës publike dhe menaxhimin e fondeve evropiane.
Nga MÇE theksojnë edhe se ministri prezantoi gjithashtu prioritetet e Maqedonisë së Veriut për zbatimin e Agjendës së Reformave dhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke vënë theksin te përfitimet konkrete për qytetarët dhe bizneset.
“Sali nënvizoi rëndësinë e një procesi anëtarësimi të drejtë, të parashikueshëm dhe të bazuar në merita, si dhe të bashkëpunimit rajonal për avancimin drejt objektivit të përbashkët të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, theksojnë nga Ministria e Çështjeve Evropiane.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



