Ministri i Mbrojtjes: Dronët ushtarakë Made in Albania do jenë të nivelit të lartë

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se nuk ka asnjë kërkesë nga NATO për pezullimin e marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë izraelite Elbit për prodhimin e dronëve ushtarakë.
Nufi vuri në dukje se dronët ushtarakë “Made in Albania” do të jenë të një niveli të lartë, duke u kthyer në një vlerë e shtuar për Forcat e Armatosura në Shqipëri.
“Ne kemi një marrëveshje për prodhimin e dronëve me ta. Sa i takon problematikës që ato kanë pasur me një nga kontratat, kanë qarkulluar lajme se kjo kontratë është pezulluar. Ndërkohë që kontratat e tjera vazhdojnë. Vendet anëtare të NATO-s, jo më larg se fqinji ynë jugor kanë lidhur kontrata të tjera me Elbit. Nuk paragjykoj dot asnjë proces. Nuk kemi asnjë shkresë apo kërkesë nga NATO për ta pezulluar në Shqipëri, dhe nuk kemi ndonjë arsye për të qenë nga ana jonë në shkelje të kontratës, për sa kohë zbatohet në mënyrë të rregullt nga të dyja palët. Besoj që ato drone do të jenë një vlerë e shtuar për Forcat e Armatosura, për shkak të veçanërisë që paraqesin, pasi jo vetëm do jenë të prodhuar në Shqipëri janë drona ushtarakë të nivelit të lartë,”-tha Nufi.
Burimi i lajmit: opinion.al
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



