MINTI nis aksionin e kontrolleve për qumështin: Produktet me etiketa të pasakta do të hiqen nga tregu

MINTI nis aksionin e kontrolleve për qumështin: Produktet me etiketa të pasakta do të hiqen nga tregu

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka bërë të ditur se nga 6 gushti do të nisë kontrolle të intensifikuara për përbërjen dhe etiketimin e qumështit dhe produkteve të qumështit që tregtohen në Kosovë.

Sipas njoftimit të ministres së MINTI-t, Mimoza Kusari-Lila, vendimi është marrë pas gjetjeve të përcjella nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) lidhur me dyshimet për përdorimin e përbërësve të padeklaruar në etiketat e produkteve.

“Përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës apo përbërësve të tjerë pa u deklaruar në etiketë, si dhe paraqitja e pasaktë e përbërjes së produkteve, përbën shkelje ligjore dhe mashtrim ndaj konsumatorëve”, thuhet në njoftimin e MINTI-t.

Kontrollet do të realizohen nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me AUV-në, dhe do të përfshijnë të gjithë zinxhirin e furnizimit, nga prodhuesit dhe importuesit deri te distributorët, depot, shitësit me shumicë dhe pikat e shitjes me pakicë.

Gjatë inspektimeve do të verifikohet përputhshmëria mes përbërjes reale të produkteve dhe asaj që deklarohet në etiketa, përdorimi i lëndëve të para, saktësia e emërtimit të produkteve, dokumentacioni përcjellës dhe gjurmueshmëria.

MINTI ka paralajmëruar se produktet që pas analizave zyrtare rezultojnë se nuk përputhen me përmbajtjen e deklaruar do të tërhiqen menjëherë nga tregu.

Po ashtu, ndaj operatorëve ekonomikë përgjegjës do të ndërmerren masa administrative dhe ndëshkuese, përfshirë gjoba dhe masa të tjera të përcaktuara me ligj.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë të drejtë të dinë saktësisht se çfarë konsumojnë”, thuhet në njoftimin e MINTI-t, ku theksohet se mbrojtja e konsumatorit dhe garantimi i konkurrencës së ndershme në treg mbeten prioritete institucionale.

Postimi i plotë:

NJOFTIM PËR PUBLIKUN

Fillojnë kontrollet intensive për përbërjen dhe etiketimin e qumështit dhe produkteve të qumështit

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), bazuar në gjetjet e përcjella nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), njofton se përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës apo përbërësve të tjerë pa u deklaruar në etiketë, ose deklarimi i pasaktë i përbërjes së produkteve, përbën shkelje të legjislacionit në fuqi dhe mashtrim të konsumatorit.

Asnjë operator ekonomik nuk do të lejohet të përfitojë në kurriz të qytetarëve duke fshehur përbërjen reale të produkteve ose duke i paraqitur ato ndryshe nga çfarë janë në të vërtetë. Mbrojtja e konsumatorit është detyrim ligjor dhe prioritet institucional.

Duke filluar nga 6 gushti 2026, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkërendim me AUV-në, do të zhvillojë kontrolle intensive në të gjitha hallkat e zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit, duke përfshirë prodhuesit, importuesit, distributorët, depot, shitësit me shumicë dhe pikat e shitjes me pakicë.

Kontrollet do të fokusohen në:

* përputhshmërinë ndërmjet përbërjes reale të produktit dhe deklarimit në etiketë;
* deklarimin e qumështit pluhur, vajit të palmës dhe çdo përbërësi tjetër;
* saktësinë e emërtimit dhe prezantimit të produkteve;
* dokumentacionin e lëndëve të para dhe gjurmueshmërinë e produkteve;
* produktet që mbahen për tregtim ose ofrohen për shitje.

Çdo produkt për të cilin, pas verifikimeve zyrtare dhe analizave laboratorike, konstatohet se etiketa nuk pasqyron përmbajtjen reale, do të tërhiqet menjëherë nga tregu, në përputhje me procedurat ligjore.

Ndaj operatorëve ekonomikë përgjegjës do të ndërmerren masa administrative dhe ndëshkuese, duke përfshirë gjobat, tërheqjen e produkteve nga tregu dhe çdo masë tjetër të paraparë me legjislacionin në fuqi.

MINTI u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të respektojnë pa asnjë kompromis detyrimet ligjore për përbërjen, emërtimin dhe etiketimin e produkteve. Çdo deklarim i rremë, i pasaktë apo mashtrues do të trajtohet me tolerancë zero dhe do të sanksionohet sipas ligjit.

Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë të drejtë të dinë saktësisht se çfarë konsumojnë. Institucionet do të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për ta mbrojtur këtë të drejtë, për të garantuar konkurrencë të ndershme në treg dhe për të mbrojtur shëndetin publik.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.