‘’Mjegull politike’’/ Konjufca kërkon koalicion, Haxhiu paralajmëron zgjedhje – opozita dëshiron kryeministrin
Pas takimit të Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, me përfaqësuesit politikë të partive në vend, janë shprehur mendime të ndryshme lidhur me formimin e Qeverisë së re. Konjufca ka theksuar se për të krijuar një qeveri të re është e nevojshme të arrihet një koalicion me një parti tjetër politike, por në kundërshtim me këtë
Pas takimit të Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, me përfaqësuesit politikë të partive në vend, janë shprehur mendime të ndryshme lidhur me formimin e Qeverisë së re.
Konjufca ka theksuar se për të krijuar një qeveri të re është e nevojshme të arrihet një koalicion me një parti tjetër politike, por në kundërshtim me këtë qëndrim të Konjufcës, ka rënë bashkëpartiakja e tij, Albulena Haxhiu, e cila ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje e bën qeverinë e vetme, ose nëse nuk ndodh kjo, shkohet në zgjedhje të reja.
Nga ana tjetër, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka kundërshtuar mundësinë e bashkëpunimit me LVV-në për krijimin e një qeverie të re, duke theksuar se kjo është një mundësi që LDK nuk e mbështet.
Ndërkaq, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka bërë të qartë se partia e tij mbështet votimin e Kryetarit të Kuvendit më 15 prill, kur është parashikuar të mbahet seanca konstituive, por ka theksuar se për formimin e qeverisë, PDK është e gatshme të udhëheqë me Bedri Hamzën, kandidatin e tyre për kryeministër.
Rexhaj i VV-së: Kurti po e analizon mundësin e formimit të Qeverisë me koalicion
Pas takimit të Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, me përfaqësuesit e partive politike në vend, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Arber Rexhaj, për FrontOnline ka theksuar se shumica e përfaqësuesve të minoriteteve do të jenë pjesë e Qeverisë, duke theksuar se kjo është një mundësi e domosdoshme për të siguruar përfaqësim të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
“Unë mendoj se në shumësi pra pothuajse të gjithë që do i përfaqësojnë interesat e minoriteteve, do jenë pjesë e Qeverisë,” ka thënë ai.
Deputeti i VV-së ka përmendur gjithashtu rëndësinë e krijimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së kryetarit të tij, duke shtuar se shpreson që deri më 15 prill të arrihet edhe votimi i Qeverisë.
“Të zgjidhet Kuvendi, kryetari i Kuvendit dhe në afatin 15 ditor pra të votohet edhe Qeveria,” ka thënë Rexhaj për FrontOnline, duke theksuar angazhimin e partisë për të përmbyllur këtë proces në një kohë të shkurtër.
Rexhaj ka shtuar se, megjithëse qëllimi është të arrihet formimi i Qeverisë deri më 15 prill, ka ende kohë për analizuar mundësitë.
“Ne do donim që me 15 prill të votohet edhe Qeveria, por deri atëherë ka kohë dhe Kurti si kryetar i VV-së, do e analizoj numrat e Qeverisë dhe në këtë mënyrë mendoj se po analizon edhe mundësinë e qeverisjes,” ka shtuar ai.
Ai ka përfunduar duke theksuar se, përveç mundësisë së krijimit të një shumice të qëndrueshme, VV po shqyrton edhe mundësinë për një bashkëpunim me parti të tjera, duke nënvizuar se kjo do të bëhet vetëm nëse është e lavdërueshme për vendin.
“Apo do kemi ndonjë bashkëpunim me ndonjë subjekt politik,” ka thënë Rexhaj për FrontOnline.
Deputeti i PDK-së: Nuk kemi ende ndonjë vendim
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrahman Rama, për FrontOnline ka folur pas mbledhjes së përfaqësuesve politikë që patën takim me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Rama ka theksuar se nuk ka qenë pjesë e takimit dhe nuk ka asnjë informacion rreth temave të diskutuar atje.
“Pyeti ata që kanë qenë pjesë në takim. Unë nuk kam qenë aty dhe nuk kam asnjë informacion’’ tha ai për FrontOnline.
I pyetur se a më shumë i sheh si mundësi zgjedhjet e reja apo votimin e një Qeverie të re, ai tha se nuk ka ndonjë vendim për këtë.
‘’Nuk kemi ndonjë vendim ende’’ u shpreh ai.
Matoshi: Albin Kurti po do zvarritje dhe zgjedhje të reja kombëtare në vjeshtë
Analisti politik, Halil Matoshi, për FrontOnline, ka komentuar situatën aktuale politike në Kosovë, duke shprehur mendimin se Kryeministri Albin Kurti po përpiqet të zvarrisë procesin e formimit të Qeverisë dhe mund të shkaktojë zgjedhje të reja kombëtare në vjeshtë, së bashku me ato vendore.
‘’Albin Kurti do zvarritje dhe zgjedhje të reja kombëtare në vjeshtë, së bashku me ato vendore’’ thotë ai për FrontOnline.
Matoshi ka theksuar se opozita, duke mos marrë ndonjë sinjal të qartë nga Administrata Trump, nuk ka guximin të unifikohet për të ndërtuar një Qeveri alternative.
‘’Opozita pa ndonjë sinjal nga Administrata Trump nuk po ka guxim të unifikohet për me ndertu Qeveri’’ shprehet ai.
Ai ka shtuar se, në këto kushte, Kurti ka krijuar një situatë që mund të dëmtojë stabilitetin e vendit.
Matoshi gjithashtu ka kritikuar veprimet e Kurtit, duke i cilësuar ato si një “diversion ndaj Republikës.
‘’ Kurti po bën diversion ndaj Republikës’’ tha ai për FrontOnline