“Mos t’i harrojmë arbëreshët” – Historia e një misioni dashurie për atdheun

Intervistë me Veli Genc Berishën, nismëtar dhe kontribues kryesor për ngritjen e shtatores së Skënderbeut në Horën e Arbëreshëve, në Sicili të Italisë The post “Mos t’i harrojmë arbëreshët” – Historia e një misioni dashurie për atdheun appeared first on Albinfo.

“Mos t’i harrojmë arbëreshët” – Historia e një misioni dashurie për atdheun

Në çdo komb, ka individë që me punën, përkushtimin dhe idealet e tyre, ngrihen mbi të zakonshmen dhe bëhen shembull frymëzimi për brezat që vijnë. Një prej këtyre figurave është Veli Genc Berisha, një artist, atdhetar, shqiptar i mërgatës që kishte marrë mbi vete një mision të veçantë: të fuqizojë lidhjet mes shqiptarëve dhe vëllezërve tanë të gjakut, Arbëreshëve të Italisë.

Veli Genc Berisha, me origjinë nga Prizreni, emigroi në Zvicër kur ishte 10 vjeç, por zemra e tij mbeti gjithmonë e lidhur me kombin shqiptar, e ushqyer me dashurinë për atdheun dhe një përkushtim të veçantë ndaj Arbëreshëve, ata që ruajtën me përkushtim identitetin shqiptar në Itali për shekuj me radhë.

Me babanë, Tefikun, para shtatores 

Duke u nisur nga një premtim familjar nga babai i tij, ai jo vetëm që ka njohur historinë e tyre, por ka marrë një hap konkret për t’i bërë ata të ndihen të vlerësuar dhe të lidhur me trungun shqiptar. Vendosja e shtatores së Skënderbeut në Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) është vetëm një pjesë e këtij rrugëtimi fisnik, shpirtëror e kombëtar.

Në këtë intervistë për albinfo.ch, ai na rrëfen historinë e tij dhe të familjes së tij, sakrificat, vendosmërinë dhe dashurinë e pashtershme për atdheun.

Albinfo.ch: Z. Berisha, si nisi lidhja juaj me arbëreshët dhe si ndikoi familja juaj në këtë mision?

Veli Genc Berisha: Lidhja ime me Arbëreshët nuk nisi sot. Ishte viti 1999 kur nga babai im Tefik Berisha ndjeva të gjithë atë atdhedashuri dhe dëshirë të kamotshme për Arbëreshët. Në atë kohë babai ishte i sëmurë dhe lexonte shtypin e përditshëm. Një pasdite, kur u ktheva nga shkolla, e gjeta të përlotur, një skenë që nuk e kisha parë kurrë më parë. Kur e pyeta përse ishte aq i prekur, ai më tregoi një artikull ku arbëreshët shpreheshin të zhgënjyer sepse ne, shqiptarët, i kishim harruar, dhe unë e pyeta se çfarë duhet të bëjmë ne për Arbëreshët? Më shikoi drejt në sy dhe më tha vetëm një fjali, një fjali që do të më ngulitej në mendje për të gjithë jetën: “Që mos t’i harrojmë arbëreshët.” Ajo fjali u kthye në një premtim për mua. Që nga ai moment, Arbëreshët nuk ishin më thjesht një pjesë e historisë së largët, por një pjesë e shpirtit tim.

 

Grupi realizues i projektit të shtatores, së bashku me kryebashkiakun e Horës së Arbëreshëvet, Rosario Petrotta

Albinfo.ch: Si u rikthye ky premtim?

Gjatë pandemisë, kur Italia ishte një nga vendet më të prekura, mendimi im shkoi menjëherë tek arbëreshët. Ata nuk janë shumë në numër dhe frika ime ishte se kjo tragjedi mund të kishte prekur rëndë komunitetin e tyre. Njëkohësisht më erdhi në mendje mesazhi i babait tim. “Që mos t’i harrojmë arbëreshët.” Kjo më shtyu të mendoj se si mund të ndërtoja  një urë të fortë mes nesh. Kështu si një vegim më lindi ideja e një shtatoreje të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, një simbol që lidh Arbëreshët dhe shqiptarët kudo që janë.

Albinfo.ch: Nga ideja në veprim: Si arritët ta realizoni këtë projekt të madh?

Veli Genc Berisha: Në fillim, e nisa si një ide modeste. Komunikova me skulptorin Gëzim Muriqi dhe e bëra porosinë për shtatoren, por ende nuk kisha një plan konkret se ku do të vendosej. E dija që nuk mund ta bëja vetëm, ndaj vendosa të kërkoj ndihmën e bacës Rexhep Rifati, një figurë e njohur me lidhje të forta me arbëreshët, duke përfshirë edhe mikun tim Danin. Ramadan Morina është kryetar i Shoqatës “Hora e Skënderbeut”, i cili ka punuar me përkushtim të pakursyer që në themelimin e shoqatës e deri më sot. Kur e takuam bacën Rexhë dhe i treguam për idenë, ai na pyeti me gjithë shpirt: “Djema, a e keni vërtet seriozisht?” Dhe pastaj shtoi: “Nuk dua të më dështojë asgjë tek arbëreshët. Më mirë të më dështojë diçka në familjen time sesa tek arbëreshët.”

Fjalët e tij më bënë të kuptoj peshën e madhe të kësaj iniciative.

Pas kësaj, kontaktuam Adnan Asllanin (artist dhe veprimtar) i cili u tregua menjëherë i gatshëm për të ndihmuar, me të gjithë kapacitetet që kishte në dispozicion. Më 10 shtator 2023 së bashku formuam Shoqatën “Hora e Skënderbeut.”

Albinfo.ch: Takimi me arbëreshët: Një moment historik dhe emocionues apo jo?!

Me kryebashkiakun e Horës së Arbëreshëve, Rosario Petrotta

Veli Genc Berisha: Më 19 janar 2024, patëm takimin e parë me Bashkinë e Piana degli Albanesi, ku u mirëpritëm nga kryetari Rosario Petta dhe ekipi i tij me një dashuri të jashtëzakonshme. Ata na pritën si vëllezër dhe e përqafuan menjëherë idenë tonë.

Takimi i dytë u realizua më 30 mars 2024, gjatë festës së Pashkëve. Ishte një përvojë që nuk mund ta përshkruaj me fjalë. Mikpritja e arbëreshëve ishte madhështore dhe të gjithë ne ndjemë një emocion të veçantë dhe ndjesinë e përkatësisë. Në këtë vizitë u takuam sërish me kryetarin e Bashkisë se Hora e Arbëreshëvet, Rosario Petta, dhe u vendos edhe data për inaugurimin e shtatores së Skënderbeut: 30 gusht 2024, në 536-vjetorin e themelimit të Piana degli Albanesi (1488). Pasi u kthyem në Zvicër, filluam të mbledhim edhe pjesën tjetër të fondeve. Mërgata shqiptare tregoi një përkrahje të madhe, duke e bërë këtë projekt një vepër të gjithë shqiptarëve.

Albinfo.ch: Cili është mesazhi juaj për shqiptarët dhe arbëreshët?

Veli Genc Berisha: Ky projekt nuk është vetëm për arbëreshët, por për të gjithë ne. Arbëreshët janë identifikimi jonë dhe një mrekulli kulturore, ata kanë ruajtur gjuhën dhe identitetin shqiptar për më shumë se 500 vjet. Ne kemi detyrim moral dhe historik t’i mbështesim dhe të forcojmë lidhjet me ta. Në një kohë kur shumë popuj po e humbasin identitetin e tyre, Arbëreshët janë dëshmia e gjallë e shpirtit të pathyeshëm shqiptar. Ata nuk e harruan asnjëherë atdheun, prandaj edhe ne nuk duhet t’i harrojmë ata. Le të qëndrojmë të bashkuar, le ta nderojmë historinë tonë dhe të mos harrojmë kurrë vëllezërit tanë Arbëreshë!

Ky projekt nuk është vetëm një shtatore. Është një mesazh i fuqishëm për brezat e ardhshëm që shqiptarët, kudo që janë, duhet të mbajnë të gjallë frymën e bashkimit dhe krenarisë kombëtare.

Të mos i harrojmë Arbëreshët!

 

 

The post “Mos t’i harrojmë arbëreshët” – Historia e një misioni dashurie për atdheun appeared first on Albinfo.