Moti ndalon anijen me ndihma humanitare në Barcelonë, aktivistët: Izraeli s’do të na ndalë

Anija spanjolle e nismës “Global Sumud Flotilla”, e cila synon të dërgojë ndihma humanitare në Rripin e Gazës, është detyruar të ndërpresë përkohësisht udhëtimin dhe të kthehet në portin e Barcelonës, për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike. Organizatorët sqaruan se anijet e vogla nuk mund të përballojnë erëra me shpejtësi deri në 30 nyje, [...]Read More...

Moti ndalon anijen me ndihma humanitare në Barcelonë, aktivistët: Izraeli s’do të na ndalë

Anija spanjolle e nismës “Global Sumud Flotilla”, e cila synon të dërgojë ndihma humanitare në Rripin e Gazës, është detyruar të ndërpresë përkohësisht udhëtimin dhe të kthehet në portin e Barcelonës, për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.

Organizatorët sqaruan se anijet e vogla nuk mund të përballojnë erëra me shpejtësi deri në 30 nyje, dhe se siguria e pjesëmarrësve ka përparësi ndaj çdo qëllimi tjetër. “Nisja është vetëm e shtyrë, jo e anuluar,” deklaruan ata.

Ndërkohë, flota italiane, e përbërë nga katër anije të nisura nga Xhenova, po vijon udhëtimin drejt Sicilisë dhe pritet të mbërrijë në Katania dhe Sirakuzë më 3 ose 4 shtator. Edhe pse moti mund të sjellë vështirësi, ekuipazhet janë të trajnuara profesionalisht për të përballuar detin. Sidoqoftë, ekziston shqetësimi se Izraeli mund të përpiqet të ndalojë misionin përmes presionit ligjor apo diplomatik.

Një tjetër përpjekje për ndalim ka ardhur nga organizata izraelite “Shurat HaDin”, e afërt me qeverinë e djathtë, e cila ka raportuar disa aktivistë përfshirë Greta Thunberg, tek autoritetet ndërkombëtare me akuzën për ndotje të Mesdheut, pasi dyshohet se disa pjesëmarrës kanë hedhur celularët në det për të mbrojtur të dhënat personale nga autoritetet izraelite.

Në Izrael, ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir ka paralajmëruar masa të rënda ndaj aktivistëve: ndalim administrativ pa afat, izolim të plotë dhe asnjë e drejtë për ndihmë ligjore apo ushqim të përshtatur për nevoja të veçanta. “Kështu do ta mendojnë mirë herën tjetër,” u shpreh ai.

Përfaqësuesja italiane e flotës, Maria Elena Delia, theksoi se pjesëmarrësit nuk janë të trembur dhe veprojnë brenda kornizës ligjore ndërkombëtare. Ajo i kërkoi qeverisë italiane të mbrojë qytetarët e saj nëse Izraeli tenton ndalime të paligjshme në ujëra ndërkombëtare.

Nga Italia kanë ardhur reagime të ashpra nga opozita. Deputetë dhe përfaqësues të partive të majta kanë dënuar kërcënimet e ministrave izraelitë dhe kanë kërkuar ndërhyrje diplomatike nga qeveria italiane për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve dhe mbarëvajtjen e një misioni që e konsiderojnë humanitar dhe paqësor.

Ndërkohë, qeveria italiane, dhe veçanërisht Kryeministrja Meloni, janë kritikuar për heshtjen ndaj kërcënimeve izraelite dhe mungesën e reagimit në mbrojtje të qytetarëve italianë që marrin pjesë në këtë mision ndërkombëtar. / abcnews.al /