“Nata e demokracisë” në Stamboll/ 300 mijë njerëz mbushin rrugët, në mbështetje të kryebashkiakut
Qindra mijëra qytetarë dolën në protesta në Stamboll në atë që e cilësuan si “nata e demokracisë” në Turqi. Menjëherë pasi konsumuan vaktin e iftarit, turqit, shumë prej tyre besimtarë, mbushën rrugët dhe sheshet në shenjë revolte ndaj arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu. Opozita turke tha se në qytetin më të madh turk [...]Read More...

Qindra mijëra qytetarë dolën në protesta në Stamboll në atë që e cilësuan si “nata e demokracisë” në Turqi.
Menjëherë pasi konsumuan vaktin e iftarit, turqit, shumë prej tyre besimtarë, mbushën rrugët dhe sheshet në shenjë revolte ndaj arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu.
Opozita turke tha se në qytetin më të madh turk u mblodhën të paktën 300 mijë njerëz.
Policia qëlloi me plumba gome dhe sprej djegës ndaj demonstruesve në Stamboll, ndërsa turma hodhi flakadënë. Në qytetin perëndimor të Izmirit, policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë protestuesit.
Në një fjalim presidenti Rexhep Taip Erdogan tha se autoritetet nuk do të lejojnë që të dëmtohet rendi publik dhe u zotua se nuk do t’i dorëzohet vandalizmit apo terrorizmit të rrugës.
Demonstratat po mbahen në më shumë se 45 qytete në të gjithë vendin dhe kryeqytetin Ankara.
Arrestimi i Imamoglu është pjesë e një goditjeje ligjore që ka nisur prej kohësh ndaj opozitës turke.
Sipas prokurorëve, Imamoglu akuzohet se ka keqpërdorur pozitën e tij për përfitime financiare.
Në një tjetër hetim, Imamoglu akuzohet se ka ndihmuar Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit e konsideruar si organizatë terroriste në Turqi, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.
Qeveria e Turqisë ka hedhur poshtë pretendimet për veprime ligjore të motivuara politikisht kundër opozitës, duke këmbëngulur në vend që gjykatat të funksionojnë të pavarura./abcnews.al