A ka qenë ndonjëherë vërtet neutrale Zvicra?

Neutraliteti konsiderohet prej kohësh një nga shtyllat kryesore të identitetit zviceran. Megjithatë, historia tregon se kuptimi dhe zbatimi i tij kanë ndryshuar vazhdimisht në varësi të rrethanave politike dhe ndërkombëtare.
Debati është aktualizuar nga iniciativa popullore për “Ruajtjen e neutralitetit zviceran”, e cila kërkon që neutraliteti të përcaktohet më qartë dhe në mënyrë më detyruese në Kushtetutë. Ndër të tjera, iniciativa synon kufizimin e pjesëmarrjes së Zvicrës në sanksione ekonomike dhe ndalimin e anëtarësimit në aleanca ushtarake ose mbrojtëse. Qeveria dhe Parlamenti zviceran rekomandojnë refuzimin e saj, raporton Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.
Rrënjët e neutralitetit shkojnë shumë më larg. Para vitit 1815, Konfederata e Vjetër përpiqej të qëndronte jashtë luftërave të shteteve të tjera, një politikë që njihej si “Stillsitzen” – qëndrimi mënjanë. Megjithatë, në të njëjtën kohë, mijëra zviceranë shërbenin si mercenarë për fuqitë e ndryshme evropiane.
Një pikë vendimtare erdhi në Kongresin e Vjenës më 1815, kur neutraliteti i përhershëm i Zvicrës u njoh ndërkombëtarisht. Sipas historianit Sacha Zala, kjo u shërbente edhe interesave të fuqive të mëdha evropiane, të cilat dëshironin një shtet të qëndrueshëm tampon mes Francës dhe Austrisë.
Gjatë shekullit XX, neutraliteti u bë gjithnjë e më shumë pjesë e identitetit kombëtar. Në vitin 1920, me anëtarësimin në Lidhjen e Kombeve, Zvicra pranoi mundësinë e sanksioneve ekonomike ndaj agresorëve, por jo masa ushtarake. Gjatë Luftës së Ftohtë, neutraliteti u shndërrua në një lloj marke ndërkombëtare të vendit, ndërsa Gjeneva u forcua si qendër e diplomacisë dhe negociatave ndërkombëtare.
Pas vitit 1990, politika u përshtat sërish. Zvicra filloi të zbatonte sanksione të OKB-së dhe të merrte pjesë më shumë në misione ndërkombëtare të paqes. Debati u intensifikua veçanërisht pas agresionit rus ndaj Ukrainës, kur Zvicra mori përsipër sanksionet ekonomike të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.
Historianët e interpretojnë ndryshe këtë evolucion. René Roca argumenton për rikthimin te një “neutralitet integral”, pa sanksione ekonomike dhe pa pjesëmarrje në aleanca ushtarake. Sacha Zala, në anën tjetër, e sheh neutralitetin si një instrument politik që historikisht ka funksionuar pikërisht sepse është përshtatur me realitetet e kohës.
Në këtë kuptim, pyetja nuk është vetëm nëse Zvicra ka qenë neutrale, por çfarë ka nënkuptuar neutraliteti zviceran në periudha të ndryshme historike. Debati i sotëm është njëkohësisht debat për të ardhmen dhe për mënyrën se si interpretohet e kaluara e vendit.
The post A ka qenë ndonjëherë vërtet neutrale Zvicra? appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



