Nga Prishtina në Gjenevë: Romani i Apollonit flet frëngjisht
Shkrimtari Ag Apolloni u prezantua në Panairin e Librit në Gjenevë me romanin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, i përkthyer në frëngjisht nga Sébastien Gricourt The post Nga Prishtina në Gjenevë: Romani i Apollonit flet frëngjisht appeared first on Albinfo.

Më 23 mars 2025, në ambientet e “Lize’s Bookstore” në kuadër të Panairit të Librit në Gjenevë, shkrimtari nga Prishtina Ag Apolloni prezantoi për herë të parë në frëngjisht romanin e tij dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse”. Libri është përkthyer nga Sébastien Gricourt, përkthyes i njohur dhe njohës i thellë i realitetit shqiptar.
Kjo pjesëmarrje, siç u shpreh vetë autori për Albinfo.ch, përfaqëson një hap domethënës në rrugën e përfaqësimit të letërsisë shqipe në hapësira ndërkombëtare.
“Pjesëmarrja në Panairin e Librit në Gjenevë është një formë prezantimi dhe promovimi e letërsisë shqipe në diasporë. Organizatorët e stendës shqiptare janë udhëhequr nga një synim dhe vullnet i mirë për ta bërë të pranishme edhe letërsinë tonë në këtë panair të rëndësishëm”, shprehet Apolloni.
Ky promovim shënon nisjen e një turi letrar për Ag Apollonin, që do të vazhdojë në Leipzig, Lubjanë, Paris dhe më pas në Athinë, ku romani do të prezantohet edhe në një skenë teatrore.
Përkthimi: nga kontakti i parë, në miqësi letrare
Përkthimi i romanit në gjuhën frënge lindi nga një nismë e vetë përkthyesit. “Nuk e kam njohur më parë Sébastien-in. Ai më kontaktoi për të kërkuar leje për përkthim, dhe prej andej nisi një bashkëpunim i shkëlqyeshëm – që u kthye edhe në miqësi,” tha autori.
Ai vlerësoi punën e përkthyesit si të kujdesshme dhe të ndjeshme ndaj nuancave letrare e kulturore të romanit: “Përkthimi është bërë me kujdes të veçantë. Sébastien-i e njeh mirë letërsinë shqipe dhe, çka është më e rëndësishme, e njeh nga afër temën për të cilën flet romani.”
Përkthyesi i librit në frëngjishte, Sébastien Gricourt
Letërsia që tejkalon kufijtë kombëtarë
Apolloni thekson se vepra e tij nuk është e kufizuar në një kontekst thjesht shqiptar, por se trajton një tragjedi universale. “Unë kurrë s’kam shkruar një vepër nacionale, por një vepër për tragjedinë njerëzore, që, siç shihet edhe nga paradigmat mitike të romanit, thjesht riciklohen nëpër kohë dhe kombe”, thotë ai.
Duke qenë se letërsia bashkëkohore kosovare nuk njihet sa duhet në Francë, Apolloni shpreson që lexuesit frankofonë ta shohin këtë roman si një dritare drejt një historie që ndërlidhet me fatin njerëzor në përgjithësi.
Estetikë, filozofi dhe identitet autorësh
Autori flet për mënyrën si ndërthur filozofinë, historinë dhe letërsinë në tekstet e tij: “Çdo tekst, edhe etimologjikisht, është thurje. Të thurësh një vepër me penj të ndryshëm është akti më normal që mund të bëjë një shkrimtar. Edhe kur ngjarja duket historike, shkrimtari në vend se ‘history’, tregon ‘his story’.”
Ai shton se dimensioni filozofik është natyrshëm i pranishëm në letërsinë që ai shkruan dhe krijon: “Letërsia e ideve është ajo që unë e preferoj dhe e krijoj”.
Prania këtu, është vetë mesazhi
Kur e pyesim nëse ka një mesazh për lexuesit në Gjenevë dhe më gjerë, Ag Apolloni përgjigjet shkurt: “Vetë ardhja ime këtu është një mesazh që librat duhen lexuar”. Ai e sheh panairin jo vetëm si vend ekspozimi, por si hapësirë për takime, diskutime dhe shkëmbim kulturor, ku lexuesi bëhet pjesë e një dialogu më të gjerë me autorin.
Të shkruash edhe kur fle
Në fund, i pyetur për planet e tij, shkrimtari përgjigjet me humor e thellësi njëkohësisht: “Planet e mia janë të shumta: krijuese, studimore dhe akademike. Shkrimtari gjithmonë është duke punuar, qoftë edhe kur është duke fjetur”.
The post Nga Prishtina në Gjenevë: Romani i Apollonit flet frëngjisht appeared first on Albinfo.