Një ekspozitë e veçantë mbi gratë në luftën e Kosovës është hapur në Gjenevë

Ajo përfshin 100 fotografi të cilat pasqyrojnë momentet më të rëndësishme të angazhimit të grave shqiptare në frontin e luftës për lirinë e Kosovës The post Një ekspozitë e veçantë mbi gratë në luftën e Kosovës është hapur në Gjenevë appeared first on Albinfo.

Një ekspozitë e veçantë mbi gratë në luftën e Kosovës është hapur në Gjenevë

Më 6 mars 2025 në ambientet e Universitetit të Gjenevës, në sallën HALL D’UNIMAIL, është hapur ekspozita e veçantë fotografike me titullin “Gratë në rrugën e lirisë”, një ngjarje domethënëse kushtuar rolit dhe sakrificës së femrës shqiptare në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Kjo ekspozitë është organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Universitetit të Gjenevës në bashkëpunim me Shoqatën “Shoqëria e Re”, duke sjellë një rrëfim të fuqishëm vizual mbi kontributin e grave shqiptare në periudhat më të vështira të historisë sonë kombëtare.

Ekspozita përfshin 100 fotografi lëvizëse, të cilat pasqyrojnë momentet më të rëndësishme të angazhimit të grave shqiptare në frontin e luftës për lirinë e Kosovës, si dhe jetën e tyre përtej vijës së betejës. Përmes këtyre imazheve, vizitorët patën mundësinë të njihen me historitë e grave të guximshme që, përkundër sfidave dhe paragjykimeve, morën armët dhe u rreshtuan përkrah burrave në mbrojtje të atdheut.

Kjo ekspozitë na rikthej vëmendjen tek një kapitull i rëndësishëm të historisë sonë kombëtare, shpesh të lënë në hije, duke ndriçuar sakrificat e grave të cilat, me guxim të pashoq, u bënë pjesë e drejtpërdrejtë e betejave çlirimtare në Kosovë gjatë periudhës 1998-1999.

Fotografitë shfaqin jo vetëm momentet e luftës, por edhe aspektet e përditshmërisë së këtyre grave, përkushtimin e tyre në organizimin e rezistencës, kujdesin për të plagosurit, ndihmën ndaj familjeve të dëbuar dhe përballje me dhunën e okupatorit. Përmes kësaj ekspozite, kuptuam më thellë rolin e femrës shqiptare në momentet më kritike të historisë sonë të re, kur ato jo vetëm që u barazuan me burrat në sakrificë dhe guxim, por shpeshherë morën edhe barrën më të rëndë të luftës.

Roli i femrës shqiptare në luftën për liri nuk është diçka e re, por një vazhdimësi e sakrificave që ato kanë bërë ndër shekuj. Që nga mbretëresha Teuta e njohur për luftën në mbrojtje të Ilirisë, në shekullin XX  Shota Galica e tjera. Historia jonë më re dëshmon  se vajzat dhe gratë shqiptare kanë qenë gjithmonë krah burrave në momentet më të rëndësishme për kombin.

Gjatë Lëvizjes studentore të vitit 1981, kur kërkesat për barazi, liri dhe të drejta kombëtare u ngritën me forcë nga rinia shqiptare e Kosovës, shumë vajza dhe gra u përfshinë aktivisht në këtë lëvizje, duke luajtur një rol kyç në organizimin dhe përhapjen e protestave. Ato u burgosën u torturuan nëpër burgjet serbe por, asnjëherë nuk u mposhtën.

Në luftën e fundit për lirinë e Kosovës (1998-1999), roli i femrës shqiptare u bë edhe më i prekshëm, pasi përveçse morën armët në duar, ato shërbyen si organizatore të rezistencës, ndihmuan në mjekimin e luftëtarëve të plagosur dhe përballuan pasojat tragjike të luftës me një forcë të pashoqe.

Një aspekt tepër emocional i kësaj ekspozite ishte prania e disa prej këtyre heroinave të gjalla të luftës, të cilat ndanë përvojat e tyre me të pranishmit. Pata kënaqësinë dhe privilegjin të bisedoj me disa prej tyre, ndër të cilat Besa Çeku, Selvie Plakiqi, Florie Osmani, Bukurije Zogaj, Mervete Hasani e tjera, të cilat rrëfyen ngjarje të paharrueshme nga koha e luftës dhe sfidat e tyre pas përfundimit të saj.

Sot, cili është fati i këtyre grave të luftës?

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, shumë nga gratë që dikur mbajtën armën në duar dhe sakrifikuan rininë e tyre për lirinë e vendit, u përballën me sfida të reja në paqe. Disa prej tyre vazhduan të jenë aktive në jetën publike, duke u angazhuar në politikë, institucione shtetërore, organizata të shoqërisë civile apo në sektorin e sigurisë. Ato mbeten zëra të fuqishëm në çështjet që lidhen me të drejtat e grave, veteranët e luftës dhe zhvillimin e Kosovës.

Megjithatë, për një pjesë të madhe të tyre, jeta nuk ishte aq e lehtë pas luftës. Disa u lanë në harresë nga institucionet, duke mos marrë vlerësimin dhe mbështetjen e duhur për sakrificën e bërë.

Gratë luftëtare, ashtu si shumë veteranë të tjerë, u përballën me sfida ekonomike, mungesë të mbështetjes sociale dhe psikologjike, ndërsa disa u detyruan të largohen nga Kosova në kërkim të një jete më të mirë.

Një nga plagët më të rënda mbetet fati i atyre nënave, grave e vajzave  që humbën jetën e nuk e gëzuan lirinë e shumëpritur, si Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Fatime Hetemi, Mervete Maksutaj, Ganimete Xhylani e shumë të tjera.  Disa prej tyre e pësuan u keqtrajtuan në forma të rënda nga forcat serbe gjatë luftës. Për vite me radhë, ato u përballën me heshtje dhe stigmatizim shoqëror ndonëse përpjekjet për njohjen dhe rehabilitimin e tyre vazhdojnë të marrin vëmendjen e duhur.

Sot, disa prej këtyre grave vazhdojnë betejën për drejtësi, ndërsa të tjera luftojnë për një vend të merituar në histori dhe shoqëri.

Pavarësisht sfidave, gratë e luftës mbeten një shembull i forcës dhe qëndresës. Ato dëshmojnë se beteja për liri nuk përfundon vetëm me fitoren në luftë, por vazhdon në çdo ditë të paqes, duke kërkuar barazi, drejtësi dhe një jetë me dinjitet për të gjithë ata/ato që sakrifikuan për atdheun.

Atmosfera në sallë ishte mbresëlënëse, ndërsa vizitorët, përfshirë studentë, profesorë dhe personalitete të ndryshme, përjetuan një përzierje emocionesh – krenari, dhimbje dhe mirënjohje të thellë për këto gra që shkruan me sakrificën e tyre një ndër kapitujt më të rëndësishëm të historisë sonë.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për disa ditë, duke u ofruar mundësinë të gjithëve të shohin nga afër këtë përpjekje për të dokumentuar një histori të rëndësishme, të treguar përmes artit të fotografisë.

 

 

 

The post Një ekspozitë e veçantë mbi gratë në luftën e Kosovës është hapur në Gjenevë appeared first on Albinfo.