Një hap më afër suksesit: swissalbs lidh studentët dhe liderët e industrisë

Më 13 mars 2025, “swissalbs” organizoi një ngjarje frymëzuese në Universitetin e St. Gallen, duke mbledhur bashkë rreth 100 pjesëmarrës për temën: “Studentët takohen me liderët e industrisë”. Eventi shërbeu si një mundësi unike për studentët të lidhen me profesionistë të njohur nga fusha të ndryshme dhe të marrin këshilla të çmuara për zhvillimin e […] The post Një hap më afër suksesit: swissalbs lidh studentët dhe liderët e industrisë appeared first on Albinfo.

Një hap më afër suksesit: swissalbs lidh studentët dhe liderët e industrisë

Më 13 mars 2025, “swissalbs” organizoi një ngjarje frymëzuese në Universitetin e St. Gallen, duke mbledhur bashkë rreth 100 pjesëmarrës për temën: “Studentët takohen me liderët e industrisë”. Eventi shërbeu si një mundësi unike për studentët të lidhen me profesionistë të njohur nga fusha të ndryshme dhe të marrin këshilla të çmuara për zhvillimin e karrierës së tyre.

„Një komb nuk është ajo çfarë ka qenë, por ajo çfarë do të jetë.” – Me këto fjalë inspiruese, moderatorja Nora Demiri hapi ngjarjen, duke nënvizuar rëndësinë e një vizioni të përbashkët dhe angazhimit për të ardhmen. Komuniteti ynë, i bashkuar nga objektiva dhe aspirata të përbashkëta, ka si thelb programin tonë të mentorimit: mbështetje reciproke dhe suksese të përbashkëta!

Nora Demiri Project lead mentoring program: Në prezantimin e saj u shpreh:  “Studentët takohen me liderët e industrisë” është shumë më tepër se thjesht një portal mentorimi – është një çështje zemre. E di nga përvoja ime personale sa e vështirë është të orientohesh në botën profesionale pa kontakte. Do të kisha dëshiruar që një platformë e tillë të kishte ekzistuar atëherë. Prandaj, dua t’u ofroj këtë mundësi të tjerëve. Gjatë studimeve të mia, kam punuar në industrinë e sigurimeve. Në atë kohë, do të kisha dëshiruar të kisha dikë që të më udhëzonte dhe të më ndihmonte të orientohesha në botën profesionale. Në të njëjtën kohë, më mungonin kontaktet dhe qasja tek njerëzit kyç të industrisë. Megjithatë, e dija që komuniteti ynë përfshin shumë persona të suksesshëm. Pas përfundimit të studimeve, analizova programet e shoqatave të studentëve shqiptarë në Zvicër dhe vura re një mungesë të madhe: pothuajse nuk kishte struktura që i lidhin studentët drejtpërdrejt me profesionistë nga komuniteti ynë në mënyrë strategjike. Kështu lindi ideja për të krijuar një program mentorimi për studentët shqiptarë në mbarë Zvicrën.

Me swissalbs, ne kemi mbushur pikërisht këtë boshllëk: kemi krijuar një platformë mentorimi ku studentët mund të regjistrohen dhe të zgjedhin një mentor të përshtatshëm nga fusha të ndryshme. Për më tepër, kemi ndërtuar bashkëpunime me shoqatat e studentëve shqiptarë në St. Gallen, Basel, Bern, Fribourg dhe Luzern. Qëllimi ynë është të krijojmë një platformë të qëndrueshme nga e cila mund të përfitojnë si studentët, ashtu edhe profesionistët në të gjithë Zvicrën.

Panelistët, liderë të industrisë, ndanë përvojat e tyre profesionale dhe udhëzuan studentët mbi aspektet kyçe të zhvillimit të karrierës dhe aspekteve më të rëndësishme që duhet të përqendrohen në tregun e punës. Ky takim i ofroi mundësinë të rinjve që të marrin perspektiva të vlefshme nga eksperienca e profesionistëve të suksesshëm dhe të nisin rrugëtimin e tyre drejt një të ardhmeje të suksesshme.

Dzevrija Zendeli – Managing Associate, Walder Wyss Ltd. –“Përshtatja me praktikën në studime. Studentët nuk duhet vetëm të shkojnë në universitet, por duhet të bëjnë praktika që herët për t’u njohur me praktikën. Studentët duhet që që në fillim të nisin me punë dhe të marrin eksperiencë dhe praktikë. Praktika është jashtëzakonisht e rëndësishme, sidomos kur zgjedh rrugën e studimeve akademike, sepse ka shumë teori, por nuk e di se si është praktika dhe nëse do ta pëlqesh. Dhe nëse shkon më herët në këto praktika, e ke më të lehtë, sepse më herët mund të vendosësh se cilin drejtim do të specializohesh, çfarë të përshtatet dhe çfarë nuk të përshtatet. Kjo është ajo që do të kisha rekomanduar çdo studenti.”

 

Perparim Limani, PD Dr. med Dr. sc. nat., FEBS, FACS – Kryemjek, Spitali Universitar i Cyrihut –“Qëndrueshmëria dhe kujdesi për veten.Suksesi nuk nënkupton vetëm performancë, por gjithashtu aftësinë për të menaxhuar stresin. Komunikimi i hapur, vetë-reflektimi dhe kufijtë e qartë janë të domosdoshëm për të qëndruar të shëndetshëm dhe efikas në afatgjatë.Rekomandimi im për studentët është si ky takimi ynë, ku të gjithë ishim shqiptarë, por, meqë ishim në Zvicër, flisnim në gjuhën gjermane. Duhet të jenë më të integruar, të bëjnë rrjetëzim dhe të diskutojnë me të tjerët, duke ofruar opsione të tjera për vendimet që duhet të merren. Në fushën time në mjekësi, do të ishte që pacientët të kenë lidhje, sidomos pacientët shqiptarë që preferojnë mjekë shqiptarë. Ne kemi Shoqatën e Mjekëve Shqiptarë këtu në Zvicër, por ne si mjekë shqiptarë kemi edhe lidhje me vendlindjen. Personalisht, shkoj çdo vit në Kongresin e Kirurgëve në Kosovë. Ky do të jetë viti i katërt që aty kemi studentët tanë, të cilët i kam shumë përzemërt. Kështu që të rinjtë duhet të kenë rrjetëzime mes veti për mundësi më të mira dhe ne që kemi prejardhjen nga vendet tona shqiptare, së bashku bëhemi më të fortë.”

 

Arben Gojani – Agjent i Përgjithshëm dhe Pronar, Allianz Suisse- “Qëndrueshmëria si recetë për sukses. Kombi ynë historikisht nuk është frikësuar kurrë – dhe kjo duket edhe te brezi i ri në Zvicër. Ne si aleancë kemi rreth katër mijë punëtorë në të gjithë Zvicrën dhe jemi shumë ndërkombëtarë, pra për çdo student që ka interes të bëjë diçka më shumë, varësisht nga drejtimi që zgjedh, ka mundësi të vijë tek ne. Unë mund t’i ndihmoj studentët duke i treguar cilat janë praktikat për të pasur sukses në biznes pas studimeve dhe cilat janë shkathtësitë që i duhen një profili për të pasur një punë dhe një drejtim profesional që do ta bënte me qejf, jo vetëm për status, por për të arritur sukses.”

 

Liridona Makica – CEO, Spitex Dona –“Durimi është i rëndësishëm, përshtatshmëria dhe saktësia janë të rëndësishme – por në kujdesin shëndetësor, mbi të gjitha, nevojitet durim. Ata që duan të jenë të suksesshëm afatgjatë, duhet të durojnë sfidat dhe të qëndrojnë të përkushtuar.. Ne kemi të njëjtën kulturë dhe biznesi nuk do të thotë vetëm që unë që merrem me përkujdesje (Spitex) kemi kompetenca dhe empati për të ndihmuar studentët. Rruga ime nuk ka qenë aq e lehtë dhe as të tjerët nuk e kanë pasur të lehtë. Ju sugjeroj të mos dorëzoheni, sepse keni mundësi dhe ju pret një ardhme e mirë.”

 

Arben Sabani – Menaxher Ekzekutiv, Hitachi Energy –“Guximi për Mundësitë: „Karriera ka ngritje dhe rënie – ajo që ka rëndësi është të shfrytëzosh mundësitë, edhe nëse nuk ke të gjitha aftësitë. Siç përmenda edhe më herët, studentët mund të punojnë edhe më herët gjatë studimeve. Edhe pas studimeve ka mundësi të ndryshme për të filluar programe trajnuese, të cilat janë shumë të mira për vetëzhvillim. Ka mundësi të shkosh në kompanitë që të pëlqejnë dhe të kesh dy-tre profile të ndryshme, dhe aty ku e gjen veten më shumë, mund të vendosesh pas një viti e gjysmë.”

 

Laureta Hyseni- moderatore: “Për mua dhe shumë studentë të tjerë, Programi i mentorimit është mundësi e shkëlqyer për të mësuar nga ekspertë, për të marrë njohuri nga industria dhe për të forcuar komunitetin tonë. Shkëmbimi i drejtpërdrejtë me profesionistë është frymëzues për ata që janë në fillim të karrierës. Programi gjithashtu krijon mundësi për ndërlidhje ndërmjet brezave dhe grupeve profesionale, ndihmon në krijimin e marrëdhënieve afatgjata dhe na mbështet në zhvillimin profesional.”

 

Delvina Morina – Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Universitetit të Lucernit:
„Ky takim mu duk shumë i dobishëm dhe pjesëmarrësit në panel ishin personalitete interesante dhe të duhura që na ndihmojnë të orientojmë rrugën pas studimeve, jo vetëm si punëtorë, por edhe si liderë për komunitetin tonë shqiptar në Zvicër.”

 

Erza Zenuni – Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Universitetit të Bernës:
„Kam mbaruar Fakultetin e Drejtësisë dhe tani jam në fazën e praktikës për t’u profilizuar si avokate. Për mua ky eveniment ishte shumë interesant. Ishte një mundësi shumë e mirë për të parë profile të ndryshme profesionale, të cilët me shembujt e tyre na inspirojnë. Ky event ishte mjaft i dobishëm dhe shpresoj se edhe në të ardhmen do të organizohen takime të tilla.”

Mentorët ndajnë përvojën e tyre, ndihmojnë studentët dhe zgjerojnë rrjetin e tyre profesional. Për shumë prej tyre, mentorimi është një mënyrë për të dhënë mbrapsht atë që dikur kanë marrë vetë.

Arbela Statovci – Mentore e Komunikimit, swissalbs:
„Fillimisht, ne si Swissalbs kemi rrjetëzimin brenda komunitetit tonë. Rrjetëzimi fillon qëkur je i ri, qëkur je student. Varet nga hapat që ndërmerr në karrierë dhe ndihma që merr për mentorim, dikush që ka kaluar atë rrugëtim. Vazhdon me zgjedhjen e drejtimit të fakultetit dhe pastaj, pas përfundimit të tij, me hapin e parë. Ne si organizatë kemi hapur një platformë mentorimi, ku profesionistët janë në njërën anë dhe studentët në tjetrën. Kur hyn në faqen tonë, gjen mentorët në fushat e caktuara. Për shembull, unë jam në fushën e komunikimit, kështu që dikush që studion shkencat e komunikimit mund të kërkojë ndihmë për prezantim dhe PR, dhe unë e ndihmoj që të zhvillojë karrierën dhe vetëbesimin profesional. Një inxhinier mund të ndihmojë një student të inxhinierisë, një jurist mund të ndihmojë një student të juridikut dhe kështu me radhë. Të gjitha këto shërbime janë pa pagesë dhe ne i ofrojmë në bazë vullnetarizmi.”

 

Susret Kastrati- Swissalbs :„ Duhet të lidhet praktika me teorinë sa më herët. Studentët duhet të shkojnë në kompani për një praktikë sa më të mirë dhe ta mësojnë sa më shpejt, që të jenë të përgatitur për të dhe me këtë lidhen edhe kontaktet. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse në moshën studentore është vështirë të bësh rrjetëzim, por kjo është një mënyrë që të bën të dukshëm në ekonomi dhe të lidh me njerëzit.”

 

Fatjon Lala – Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Universitetit të Bazelit:„Eventi sot ishte shumë interesant. Ishim bashkëorganizatorë me shoqatat e tjera të studentëve shqiptarë në Zvicër. Kam përfunduar studimet për Shkencat Kompjuterike dhe aktualisht punoj si Alumni. Pjesa më interesante e takimit ishte rrjetëzimi, që besoj se është shumë i rëndësishëm për studentët. Po ashtu, është e rëndësishme për të gjithë ata që janë të rinj në profesion, pasi i ndihmon të kenë një karrierë, pavarësisht aftësive personale. Megjithatë, është e rëndësishme të dish ku i shfaq këto aftësi.”

Në përmbyllje të ngjarjes, kryesuesi i Organizatës “swissalbs“, Përparim Avdili, duke iu dhuruar nga një dhuratë simbolike panelistëve ai  iu drejtua të pranishmëve me një mesazh frymëzues dhe motivues, duke theksuar se “Mundësitë më të mira vijnë kur e ke guximin t’i shfrytëzosh”. Ai inkurajoi studentët që të mos ngurojnë, por të aplikojnë për të marrë mbështetje nga mentorët dhe theksoi rëndësinë e rrjetëzimit si një nga elementet kyçe të zhvillimit personal dhe suksesit në karrierë. Kjo iniciativë është e veçantë dhe ofron mundësi të reja dhe të strukturuara për një rrjetëzim strategjik dhe mbështetje të fokusuar. Ne si organizatë jemi shumë krenarë që kemi krijuar një platformë që jo vetëm që frymëzon, por gjithashtu ka një ndikim të qëndrueshëm në jetën e studentëve. Me padurim mirëpresim të na bashkangjiten shumë studentë të motivuar në ngjarjet tona të ardhshme! Gjithashtu synojmë të zgjerojmë më tej platformën e mentorimit, të përfshijmë edhe më shumë profesionistë si mentorë dhe, në plan afatgjatë, të krijojmë partneritete me kompani. Objektivi ynë është të ndërtojmë një platformë të fortë dhe të qëndrueshme që e bën më të lehtë kalimin e studentëve në botën profesionale.

Në përmbyllje të ngjarjes, të pranishmit patën mundësinë të shijonin një apero, ku mund të vazhdonin rrjetëzimin dhe të ndanin më shumë mendime dhe ide për mundësitë e ardhshme profesionale dhe përbashkëta.

Mbështetësit e këtij takimi ishin @Walder Wyss si dhe shoqatat e studentëve shqiptarë nga Shkodra, Basel, Bern, Luzern dhe Fribourg për bashkëpunimin e fortë.

 

The post Një hap më afër suksesit: swissalbs lidh studentët dhe liderët e industrisë appeared first on Albinfo.