Një javë para zgjedhjeve/ Ku qëndrojnë partitë politike kosovare sipas sondazheve?
Kosova ka hyrë në javën e fundit të fushatës zgjedhore, derisa kanë mbetur gjashtë ditë deri kur qytetarët fillojnë të votojnë për partitë politike dhe kandidatët e tyre të preferuar për deputetë. Fushatë e gjatë me premtime të shumta e me gjuhë të rëndë është përcjellë fushata e këtyre zgjedhjeve. Akuza e kundër akuza të

Kosova ka hyrë në javën e fundit të fushatës zgjedhore, derisa kanë mbetur gjashtë ditë deri kur qytetarët fillojnë të votojnë për partitë politike dhe kandidatët e tyre të preferuar për deputetë.
Fushatë e gjatë me premtime të shumta e me gjuhë të rëndë është përcjellë fushata e këtyre zgjedhjeve.
Akuza e kundër akuza të ndërsjella ka pasur mes partive opozitare dhe partisë në pushtet.
Premtime për jetë me të mirë, ngritje të pagave e pensioneve, anëtarësim në NATO e kushte me të mira për bizneset dhe për shërbyesit civil.
Për një jetë me të dinjitetshme, ishte togfjalëshi më i përdorur në këtë fushatë, derisa tashmë partitë politike dhe kandidatët e tyre për deputetë kanë filluar të i japin edhe prognozat e tyre.
Partia në pushtet pretendon se është tek 60% dhe më mirë se me 2021. Nga PDK paralajmërojnë se kjo parti do të jetë më mirë se në vitin 2014, nga LDK shprehën se janë më mirë se në vitin 2019 derisa nga Koalicioni për Kosovën Fituese, pretendojnë të i marrin së paku 20% të votave me 9 shkurt.
Thaçi i VV-së: Do i fitojmë 60% të votave
Halil Thaçi, nga Lëvizja Vetëvendosje, për FrontOnline, thotë se mbështetja për këtë subjekt politik është më e madhe se me 2021.
‘’Mbështetja është më e madhe se me 2021’’ thotë ai.
Sipas Thaçit, me 2021 VV është votuar pa u provuar derisa tani ajo ka treguar, siç thotë ai, sukses në qeverisje.
‘’Qytetarët me 2021 na kanë votuar pa na provuar në qeverisje e tash na kanë provuar në qeverisje dhe po shihet se ne kemi sukses dhe punojmë më shumë se që premtojmë’’ thotë ai.
Sipas tij, me 9 shkurt VV fiton 60% të votave.
‘’Me 2021 askush nuk është menduar se do të shtrihet sovraniteti siç është shtrirë tani. Nga këvështrimi im, e them se jemi 60%” deklaroi Thaçi.
Hajdar Beqa: Jemi më mirë se me 2014, PDK-ja do të jetë fituese e zgjedhjeve
Kandidati i PDK-së për deputet, Hajdar Beqa, për FrontOnline, thotë se subjekti i tyre politik, nuk ka qenë kurrë më mirë dhe se presin fitore bindëse me 9 shkurt.
‘’PDK kurrë nuk ka qenë më mirë. Kemi shumë takime dhe aktivitete dhe presim fitore bindëse. Jemi të bindur dhe besojmë në fitore’’ thotë ai.
Beqa, potencon se PDK qëndron madje më mirë se në vitin 2014.
‘’Entuziazmi në terren tregon se jemi më mirë se në vitin 2014’’ u shpreh ai.
Sipas tij, përkrahja për Bedri Hamzën është e madhe.
‘’Përkrahja për Bedri Hamzën, është më e madhe se kurrë’’ tha ai.
Sadiku: LDK-ja i fiton zgjedhjet, jemi më mirë se me 2019
Kandidati për deputet nga LDK, Izet Sadiku, për FrontOnline thotë se tubimet e qytetarëve tregojnë se ku është kjo parti.
‘’Takimet dhe tubimet me qytetarë tregojnë ku është LDK-ja. Tubimet janë më masovike se çdo herë’’ thotë ai.
Sadiku, potencon se me vite të tëra s’ka parë të tilla tubime.
‘’Me vite të tëra s’kam parë të tilla tubime’’, shprehet ai.
Sipas tij, LDK qëndron edhe më mirë se në vitin 2019, kur LDK kishte kandidate për kryeministre Vjosa Osmanin.
‘’Masa tregon se ne jemi partia që ka me i fituar zgjedhjet e 9 shkurtit. Nuk diskutohet, jemi më mirë se me 2019. Sallat e mbushura, rrallë herë janë mbushur ato’’ u shpreh Sadiku për FrontOnline.
Demhasaj i AAK-së: Jemi rreth 20% me përkrahje të qytetarëve
Kandidati për deputet nga Koalicioni për Kosovën Fituese, Arton Demhasaj, për FrontOnline, ka folur rreth pretendimit të këtij koalicioni dhe synimit për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ai thotë se nuk kanë bërë sondazhe, por ballafaqimi me qytetarë është sondazhi më i mirë i tyre.
”Nuk e kemi pasur të nevojshme me bërë sondazhe. Sondazhi më i mirë është ballafaqimi me qytetarët, në secilën komunë në secilin qosh’’ thotë ai.
Demhasaj, thotë se në komunat ku ky koalicion qeverisë ka rritje të madhe derisa në ato ku nuk qeverisë, ky koalicion ka dy-tre fishim të përkrahjes.
‘’Në komunat ku qeverisim, kemi rritje tepër të madhe të përkrahjes e po ashtu kemi 2-3 fish përkrahje në komunat ku nuk jemi në qeverisje’’ thotë ai.
Kandidati Demhasaj, thotë se koalicioni ku ai bën pjesë, nuk ka hyrë në garë vetëm për ti fituar disa ulëse por ka hyrë në garë për ti fituar zgjedhjet.
‘’Ky koalicion nuk është në garë për ti siguruar disa ulëse në Kuvend, por jemi në garë për ti fituar zgjedhjet. Në bazë të kësaj që po e shohim, mund të themi se ky koalicion ne mund të i marrim rreth 20%” u shpreh ai.