Nxënësi pason mësuesen/ Bardella: Do kandidoj për president të Francës
Jordan Bardella, kreu i partisë së ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar në Francë, është gati të kandidojë për president nëse Marine le Pen përjashtohet përfundimisht nga zgjedhjet. Në një intervistë me Le Parisien, Bardella tha se nëse Le Pen nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2027, ai do ta pasonte atë, sigurisht [...]Read More...

Jordan Bardella, kreu i partisë së ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar në Francë, është gati të kandidojë për president nëse Marine le Pen përjashtohet përfundimisht nga zgjedhjet.
Në një intervistë me Le Parisien, Bardella tha se nëse Le Pen nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2027, ai do ta pasonte atë, sigurisht me mbështetjen e saj.
Le Pen, e cila konsiderohet fytyra e ekstremit të djathtë francez, pësoi një goditje të rëndë në fund të marsit kur u dënua, së bashku me anëtarë të tjerë të partisë së saj për përvetësim të fondeve të Bashkimit Europian.
Ajo u dënua me pesë vjet heqje të të drejtave të saj politike, katër vjet burg dhe një gjobë prej 100,000 eurosh.
Le Pen shpreson që apeli ta anulojë apo ta ndryshojë dënimin, duke i lejuar asaj të kandidojë.
Por Bardella, i cili është vetëm 29 vjeç dhe konsiderohet si i mbrojturi i Le Pen, dha sinjalin më të qartë deri më tani në intervistë se ai do të ishte kandidati i Tubimit Kombëtar për presidencën nëse ajo nuk është në gjendje të kandidojë.
“Nuk ka dyshim se Marine Le Pen është kandidatja jonë, por nëse ajo nuk është në gjendje të kandidojë, mendoj se mund t’ju them se unë do të jem kandidati i saj”, tha ai.
“Nuk mund të jem më i qartë se kaq”, theksoi Bardella, duke i bërë thirrje partisë të jetë e bashkuar.