OBSH: Rriten rastet e kancerit të mushkërive tek njerëzit që nuk kanë pirë kurrë duhan
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar se ka pasur një rritje të rasteve të kancerit të mushkërive tek njerëzit që nuk kanë pirë kurrë duhan dhe ndotja e ajrit cilësohet si një nga faktorët kryesorë. Sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC), kanceri i mushkërive tek jo duhanpirësit konsiderohet shkaku i [...]Read More...

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar se ka pasur një rritje të rasteve të kancerit të mushkërive tek njerëzit që nuk kanë pirë kurrë duhan dhe ndotja e ajrit cilësohet si një nga faktorët kryesorë.
Sipas vlerësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC), kanceri i mushkërive tek jo duhanpirësit konsiderohet shkaku i pestë kryesor i vdekjes nga kanceri në mbarë botën, shkruan The Guardian.
Një studim i botuar në revistën shkencore Lancet Respiratory Medicine thotë se në vitin 2022, rreth 200,000 raste të adenokarcinomës ishin të lidhura me ekspozimin ndaj ndotjes së ajrit, me Azinë Lindore, veçanërisht Kinën, që vuante ndikimin më të madh nga ndotja.
Drejtuesi i studimit Freddie Bray tha se gjetjet theksojnë nevojën urgjente për të monitoruar ndryshimet në rrezikun e kancerit të mushkërive dhe për të kryer kërkime të mëtejshme për të identifikuar shkaqet e mundshme, siç është ndotja e ajrit, në popullatat ku pirja e duhanit nuk është shkaku kryesor.
Adenokarcinoma është bërë nënlloji dominues i kancerit të mushkërive si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat, duke zënë 45.6 për qind të rasteve tek meshkujt dhe 59.7 për qind të rasteve tek femrat në vitin 2022. Gjithashtu, 70 për qind e rasteve të kancerit të mushkërive tek jo duhanpirësit janë adenokarcinoma.
Ndërsa shkalla e incidencës së kancerit të mushkërive tek meshkujt është në rënie në shumicën e vendeve, ato vazhdojnë të rriten te femrat. Në vitin 2022, rreth 900,000 gra u diagnostikuan me kancer në mushkëri, duke treguar një ngushtim të hendekut midis numrit të rasteve tek burrat dhe gratë.
Edhe pse nuk dihet përqindja e saktë e rasteve të kancerit të mushkërive në mesin e joduhanpirësve, dëshmitë sugjerojnë se numri i pacientëve po rritet./abcnews.al