Osmani për takimin me Sorensenin: Draft-Statuti i BE-së për Asociacionin në shpërputhje me Kushtetutën

Presidentja Vjosa Osmani tha se takimi që ka zhvilluar me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka qenë më shumë njoftues për qëndrimet e palës kosovare. Ajo tha se në detaje ia kanë prezantuar vërejtjet sa i përket draft-statutit të propozuar nga BE për Asociacionin, raporton Gazeta Express. “Më shumë u njoftua

Osmani për takimin me Sorensenin: Draft-Statuti i BE-së për Asociacionin në shpërputhje me Kushtetutën

Presidentja Vjosa Osmani tha se takimi që ka zhvilluar me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka qenë më shumë njoftues për qëndrimet e palës kosovare.

Ajo tha se në detaje ia kanë prezantuar vërejtjet sa i përket draft-statutit të propozuar nga BE për Asociacionin, raporton Gazeta Express.

“Më shumë u njoftua rreth qëndrimeve tona sesa që morëm qëndrime nga ana e tij dhe kjo është krejtësisht normale sepse është fillimi i mandatit”, tha Osmani, derisa shtoi se këto diskutime të vazhdojnë edhe më tej.

Ajo më pas tha se draft-statuti aktual për Asociacionin s’e kalon testin e Gjykatës Kushtetuese meqë s’është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Po flasim për çështjen e draft-statutin e BE-së që unë personalisht besoj që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, nuk janë në përputhje as me vlerat dhe normat e BE-së dhe standardet e KiE pastaj dhe po ashtu nuk janë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2015-ës”.

“Një draft-statut i tillë që bie ndesh me këto të tria s’ka si të hyjë në fuqi dhe as nuk besoj që do të mund të kalonte testin në Gjykatën Kushtetuese që tashmë ka vendosur standarde për shumë nga këto tema të vendosura brenda draft-statutit siç janë kompetencat ekzekutive të Asociacionit”.

“Pra, Ishte më shumë takim njoftues rreth qëndrimeve tona jo vetëm për draft-statutin, por edhe për procesin e dialogut në përgjithësi”.

Osmani tha se në procesin e dialogut deri më tani s’u trajtua parimi i barazisë mes palëve.

“Ka qenë një proces i njëanshëm që e ka dëmtuar edhe vetë kredibilitetin e procesit. Tani me lidershipin e ri të BE-së shpresojmë shumë kjo balancë dhe kjo barazi të kthehet në tavolinë sepse do t’i ndihmonte edhe vetë procesit, si rrjedhojë shpresoj që të ketë rezultate më pozitive”.