PENDAROVSKI ME MESAZH PËR MAQEDONASIT DHE SHQIPTARËT

PENDAROVSKI ME MESAZH PËR MAQEDONASIT DHE SHQIPTARËT

Në Shkup, më 24 dhe 25 shtator, u mbajt konferenca kushtuar 25-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, organizuar nga organizata joqeveritare gjermane „Pro Peace“.

Në konferencë, ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se vendi e mori statusin kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian kryesisht falë zbatimit të suksesshëm të Marrëveshjes së Ohrit.

“E morëm statusin kandidat për anëtarësim në BE kryesisht për shkak të zbatimit të suksesshëm të Marrëveshjes së Ohrit. Por ky fakt nuk është vlerësuar sa duhet nga maqedonasit”, deklaroi Pendarovski.

Ai theksoi se maqedonasit dhe shqiptarët ende kanë këndvështrime të ndryshme për Marrëveshjen e Ohrit, duke shtuar se çështjet strategjike të vendit duhet të diskutohen dhe dakordohen nga të dyja komunitetet.

Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, tha se pengesat në shoqëri nuk duhet të shihen si rezultat i veprimeve të komuniteteve të tjera, por si pasojë e mungesës së komunikimit dhe mirëkuptimit.

Në konferencë u theksua edhe rëndësia e besimit në institucione dhe politikë, ndërsa ambasadorja gjermane Petra Dreksler vuri në dukje se besimi i ndërsjellë është thelbësor për një të ardhme të qëndrueshme të vendit.

Një nga mesazhet e konferencës ishte edhe përfshirja më e madhe e të rinjve në debatet për bashkëjetesën dhe të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. (INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.