Pentagoni do të dërgojë 1500 trupa aktive në kufirin me Meksikën
Pentagoni në ditët në vijim do të nisë dislokimin e deri në 1.500 trupave aktive për të ndihmuar në sigurinë e kufirit jugor, thanë zyrtarët amerikanë. Ky vendim është në kuadër të zbatimit të planeve që presidenti Donald Trump i ka shpalosur në urdhrat ekzekutivë të nënshkruar pasi mori detyrën, që synojnë të luftojnë imigrimin [...]Read More...

Pentagoni në ditët në vijim do të nisë dislokimin e deri në 1.500 trupave aktive për të ndihmuar në sigurinë e kufirit jugor, thanë zyrtarët amerikanë. Ky vendim është në kuadër të zbatimit të planeve që presidenti Donald Trump i ka shpalosur në urdhrat ekzekutivë të nënshkruar pasi mori detyrën, që synojnë të luftojnë imigrimin e paligjshëm.
Sekretari në detyrë i Mbrojtjes, Robert Salesses, pritet që gjatë të mërkurës të nënshkruajë urdhra për dislokimin e ushtarëve, por ende është e paqartë se kur ushtarët do të dislokoheshin dhe nëse numri i përgjithshëm i tyre mund të ndryshojë.
Zyrtarët që njoftuan për këtë çështje folën në kushte anonimiteti, për shkak se njoftimi për dislokimin e ushtarëve ende nuk është bërë publik, raporton AP.
Forcat aktive do t’iu bashkoheshin afër 2.500 pjesëtarëve të Gardës Kombëtare amerikane dhe Forcave Rezervë që aktualisht gjenden në kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës. Në kufi aktualisht nuk ka trupa aktive.
Forcat pritet të përdoren për të mbështetur agjentët e patrullimit kufitar, me logjistikë, transport dhe ndërtimin e barrierave. Ata kanë bërë detyra të ngjashme në të kaluarën, kur Trump dhe ish-presidenti Joe Biden, kishin dërguar trupa aktive në kufi.
Sipas ligjit në SHBA, trupave u ndalohet që të kryejnë detyrat e organeve ligjzbatuese në kufi, por kjo mund të ndryshojë. Përmes urdhrave ekzekutivë, Trump ka udhëzuar sekretarët e ardhshëm të Mbrojtjes dhe të Brendshëm që të raportojnë brenda 90 ditësh nëse ata mendojnë se ligji i vitit 1807 duhet të shfuqizohet. Nëse ndodh kështu, atëherë trupat mund të përdoren për detyra civile të organeve të zbatimit të ligjit në tokën amerikane.