Përfaqësimi dhe gjuha shqipe, pjesë e raportit të KE-së

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 evidenton se çështja e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat vazhdon të jetë e hapur në Maqedoninë e Veriut. Pas shfuqizimit të mekanizmit Balancer nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2024, Qeveria ka propozuar një ligj të ri për përfaqësimin adekuat dhe të drejtë, por miratimi i tij në Kuvend mbetet pezull.
Një nga çështjet e ngritura është kërkesa e studentëve të drejtësisë për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ndonëse nuk jep rekomandim, Komisioni thekson se peticioni dhe protestat e tyre hapën debat publik dhe rikthyen diskutimet për zbatimin praktik të të drejtave gjuhësore dhe përfaqësimin e drejtë të komuniteteve joshumicë në institucionet shtetërore. Komisioni evidenton gjithashtu se Komisioni parlamentar për monitorimin e përfaqësimit të drejtë të qytetarëve që u përkasin të gjitha komuniteteve ka mbetur joaktiv, pavarësisht çështjeve ndëretnike të shfaqura gjatë periudhës së raportimit. Sa i përket Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Komisioni vlerëson se ajo vazhdon të zbatohet dhe se situata ndëretnike në vend mbetet përgjithësisht stabile, por thekson se sfidat vazhdojnë.
Formulimet e këtilla kanë shkaktuar përplasje mes partive shqiptare. Partia në pushtet VLEN thotë se raporti i KE-së njeh rezultatet e reformave dhe angazhimin evropian të vendit,
“Rëndësi të veçantë ka evidentimi i propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i përgatitur nën drejtimin e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari… Me rënien e BDI-së nga pushteti, avash avash po ngushtohet edhe hapësira për ndikimin e “Botës serbe” në Maqedoninë e Veriut”, theksojnë nga VLEN.
Megjithatë, opozita është e ashpër. BDI-ja kritikon se problemet konkrete me zbatimin e gjuhës shqipe dhe përfaqësimin e drejtë dhe adekuat marrin një vend kaq të qartë në vlerësimin e Komisionit Evropian.
“Kjo është pasoja më e rëndë politike e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së me VLEN-in: çështje të barazisë që duhej të ishin garanci të pakontestueshme institucionale, sot janë kthyer në shqetësim evropian. VLEN hyri në Qeveri me premtimin se do t’i përfaqësonte shqiptarët. Sot, pasojat e pjesëmarrjes së tyre në këtë qeverisje po lexohen në Bruksel. Balancuesi është shfuqizuar, mekanizmi i ri i përfaqësimit mbetet i pazgjidhur, ndërsa qytetarët dhe studentët shqiptarë vazhdojnë të përballen me pengesa në realizimin e të drejtave të tyre gjuhësore”, thonë nga BDI.
Nga ana tjetër, raportin e KE-së për Maqedoninë, Lidhja Shqiptare e ka quajtur raport regresi. /Alsat.mk
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



