Pesë mësimet kryesore nga 3 vitet e luftës në Ukrainë
Përvjetori i tretë i fillimit të Luftës së Ukrainës, është momenti i duhur për të reflektuar mbi mësimet kryesore që na ka dhënë. Vetë konflikti në përgjithësi ka ngecur në fushën e betejës. Rusia ka bërë disa përparime vitin e fundit, por kostot kanë qenë të mëdha. Ajo po korr “një fitore si të Pirros”, [...]Read More...

Përvjetori i tretë i fillimit të Luftës së Ukrainës, është momenti i duhur për të reflektuar mbi mësimet kryesore që na ka dhënë. Vetë konflikti në përgjithësi ka ngecur në fushën e betejës. Rusia ka bërë disa përparime vitin e fundit, por kostot kanë qenë të mëdha.
Ajo po korr “një fitore si të Pirros”, pra po humb aq shumë për të pushtuar pjesë të reja të vogla territori, sa që lufta po rrezikon interesat e tjera strategjike të Moskës. Për shembull Rusia, nuk është më një konkurrente e fortë dhe e besueshme ndaj Kinës, SHBA-së apo Bashkimit Evropian.
Pas 3 vitesh konflikt të përgjakshëm, ajo është shumë e prapambetur ekonomikisht dhe e dobësuar ushtarakisht. Megjithatë, edhe Ukraina është në telashe. Mungesa e burimeve njerëzore dhe municioneve janë tashmë të njohura. Dhe presidenti amerikan Donald Trump e ka theksuar me tone agresive, se dëshiron që lufta të përfundojë sa më shpejt që është e mundur.
Kështu një marrëveshje paqeje duket e mundshme së shpejti. Unë shoh 5 leksione, që na ka mësuar kjo luftë deri tani, të cilat janë shumë të vlefshme edhe për të ardhmen:
1. Putin është një kundërshtar i përhershëm i Evropës
Pushtimi i hapur i Rusisë ndaj një demokracie më të vogël, provokoi një ndryshim të jashtëzakonshëm në pjesën tjetër të Evropës. Ai e shndërroi Rusinë nga një gjysmë-partnere tekanjoz dhe të vështirë në një kundërshtare gjeopolitike, diçka që tani po pranohet hapur.
Marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin dhe partnerët e saj, nuk do të normalizohen derisa të largohet nga pushteti presidenti aktual Vladimir Putin. Trump mund ta pëlqejë Putinin si udhëheqës, dhe t’i bëjë shumë lëshime kur të takohen, por të tjerët në Perëndim nuk do të kenë besim tek angazhimet e tij.
Të paktën për një brez, siguria evropiane do të përqendrohet në frenimin e Rusisë, dhe kjo do të ndodhë përgjatë linjave të ngjashme me Luftën e Ftohtë, vetëm se këtë herë ekuilibrat do të jenë më negativë për Rusinë se herën e kaluar. Ekonomia e përbashkët e vendeve të NATO-s, është 25 herë më e madhe se ajo e Rusisë. Dhe kjo do të jetë kostoja afatgjatë e luftës për Rusinë.
2. Është e nevojshme fuqia e madhe ushtarake konvencionale
Historia ushtarake, na mëson vazhdimisht se asgjë nuk e mban nën kontroll një territor si këmbësoria. Për shkak se doktrina ushtarake perëndimore, fokusohet tek mbrojtja dhe jo pushtimi, shtetet e NATO-s priren të kenë ushtri më të vogla sesa do të sugjeronte ky mësim.
Armët bërthamore, betejat ajrore-detare, kundër-rebelimi, e kështu me radhë, konkurrojnë me ushtritë tradicionale për vëmendje dhe burime. Por ndërsa po merr formë gara afatgjatë me Rusinë, në Evropë do të rikthehen ushtritë e mëdha.
Kjo do të ndodhë edhe në Azinë Lindore, sepse qëllimi kryesor i Kinës një rajon është rimarrja e Tajvanit. Nëse ushtria e saj fiton terren në Tajvan, do të nevojitet një forcë e madhe për t’iu kundërvënë asaj. Dhe SHBA-ja, Tajvani dhe Japonia nuk kanë aktualisht burimet e duhura njerëzore për atë mision.
3. “Kurrë më!” është shndërruar në një parullë boshe
Ekspertët, veçanërisht ata në Perëndim, kanë deklaruar prej vitesh se vrasjet masive si masakrat e tmerrshme në Kamboxhia apo gjenocidi në Ruandë, nuk mund të ndodhin më kurrë. Megjithatë, në Ukrainë, ushtria ruse është sjellë në mënyrë të tmerrshme, dhe opinioni botëror kryesisht e ka pranuar atë. Në fakt, nga Moska ka pasur një përpjekje të bashkërenduar keqinformuese, për të sugjeruar se mizoritë e ushtrisë ruse nuk kanë ndodhur.
4. “Evropa” është ende një projekt i dështuar
Pas 3 vitesh luftë në pragun e saj, nuk ka ende një zë të integruar ushtarak evropian. Është e vërtetë se mbështetja e Evropës për Ukrainën e tejkalon mbështetjen amerikane. Por duke pasur parasysh afërsinë e Evropës me Ukrainën dhe kërcënimin rus, një linje e dhënies së ndihmës në një mënyrë më efikase, duhet të ishte zhvilluar shumë më shpejt.
Në vend të kësaj, ndihma evropiane mezi ka arritur të kapërcejë përçarjen midis vendeve, dhe vazhdon të jetë e ulët në krahasim me madhësinë e përgjithshme ekonomike të Evropës. Kur SHBA-ja mbështeti muxhahedinët kundër sovjetikëve në vitet 1980, CIA krijoi brenda pak vitesh një infrastrukturë mbështetëse të shpejtë dhe të mirë-financuar.
Vendet evropiane e të NATO-s, e kanë pasur të vështirë ta arrijnë atë nivel të koordinimit dhe shpejtësie. Presidenti i Ukrainës, po bën thirrje për krijimin e një ushtri evropiane, ndërsa Donald Trump po kërcënon ta braktisë Evropën. Por pas kaq shumë pikash kthese, që supozohej se do të motivonin një qëndrim të integruar të mbrojtjes evropiane, është e vështirë të imagjinohet nëse kjo do të ndodhë ndonjëherë.
5.Dronët
Nëse roli i madhësisë në fushën e betejës është çuditërisht i pandryshuar, atëherë ndryshimi më i madh janë ndoshta dronët. Vitet e fundit, të gjithë kemi parë pamje nga sulmet me dron në rrjetet sociale. Por kudondodhja e tyre ka qenë tronditëse për shumëkënd.
Dronët e mëdhenj, të ngjashëm me avionët ekzistojnë prej 20 vjetësh, duke mundësuar goditje në distanca të gjata ose mbi horizont. Duke u endur nëpër fushat e betejës së luftës kundër terrorizmit, ato siguruan të dhëna për të lehtësuar sulmet e SHBA nga bazat e largëta.
Por lufta e Ukrainës, i ka shtuar kësaj mbushjen e hapësirës së betejave lokale me të gjitha llojet e dronëve të vegjël të përdorur për goditjet me rreze të shkurtër. Ata janë shpesh të armatosur dhe funksionojnë si mini-blinda ose mini-raketa.
Kjo e përshpejton prirjen afatgjatë, që daton që nga Lufta e Parë Botërore, e luftëtarëve njerëz që tërhiqen gjithnjë e më shumë nga kontakti në vijën e frontit për të luftuar në distancë, sepse fusha e betejës po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme.
Mësime të tjera do të bëhen të dukshme pas përfundimit të luftës. Por këto që përmenda më lart, janë 5 leksionet, të cilat kanë më shumë gjasa t’i japin formë mbrojtjes territoriale evropiane dhe strategjinë amerikane në Azinë Lindore në dekadën e ardhshme.