Plastika, një kërcënim në rritje për shëndetin: Ekspertët kërkojnë veprim global

Ndotja nga plastika po cilësohet si një kërcënim i madh dhe i nënvlerësuar për shëndetin e njeriut, sipas një grupi ndërkombëtar shkencëtarësh dhe mjekësh që i janë drejtuar opinionit publik përpara një konference të Kombeve të Bashkuara mbi një marrëveshje globale për menaxhimin e plastikës. Në një analizë të publikuar në revistën shkencore The Lancet, [...]Read More...

Plastika, një kërcënim në rritje për shëndetin: Ekspertët kërkojnë veprim global

Ndotja nga plastika po cilësohet si një kërcënim i madh dhe i nënvlerësuar për shëndetin e njeriut, sipas një grupi ndërkombëtar shkencëtarësh dhe mjekësh që i janë drejtuar opinionit publik përpara një konference të Kombeve të Bashkuara mbi një marrëveshje globale për menaxhimin e plastikës.

Në një analizë të publikuar në revistën shkencore The Lancet, 27 ekspertë paralajmërojnë se plastika shkakton dëme në çdo fazë të ciklit të saj të jetës nga prodhimi, te përdorimi dhe deri te shpërbërja duke ndikuar negativisht në shëndetin e njeriut që nga lindja. Veçanërisht të prekshëm janë foshnjat dhe fëmijët e vegjël.

“Plastika ka qenë një rrezik i heshtur krahasuar me krizën klimatike apo ndotjen e ajrit, por faktet e reja tregojnë se ndikimi i saj është shumë më i madh nga sa mendohej,” tha Dr. Philip Landrigan, autor kryesor i raportit dhe drejtor i Observatorit Global për Shëndetin e Planetit në Boston College.

Këto paralajmërime vijnë në prag të një raundi të ri negociatash që do të zhvillohet këtë javë në Gjenevë, ku delegatë nga 170 vende pritet të diskutojnë një traktat ndërkombëtar për reduktimin e plastikës. Një raund i mëparshëm në Korenë e Jugut dështoi për shkak të kundërshtimeve nga vendet prodhuese të karburanteve fosile, të cilat refuzuan të mbështesin kufizimin e prodhimit të plastikës së re.

Raporti evidenton lidhjen mes ekspozimit ndaj plastikës dhe një sërë sëmundjesh kronike si kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, diabeti, problemet me frymëmarrjen dhe dobësimi i sistemit imunitar. Megjithatë, nuk ka ende një vlerësim të plotë për barrën e përgjithshme që kjo ndotje ka mbi shëndetin global.

Vetëm tre nga substancat kimike më të zakonshme në prodhimin e plastikës përfshirë bisphenol A (BPA) shkaktojnë dëme që përllogariten në rreth 1.5 trilionë dollarë në vit në 38 vende të botës. BPA është lidhur me mbi 237 mijë vdekje nga sëmundjet e zemrës dhe 194 mijë raste të vdekjeve nga goditjet në tru.

Për të ndjekur nga afër këtë problem në rritje, është ngritur një mekanizëm i ri i pavarur, Lancet Countdown on Health and Plastics, i cili do të monitorojë ndikimet e plastikës mbi shëndetin publik në shkallë globale.

Landrigan theksoi se qëllimi nuk është ndalimi i plotë i plastikës, por reduktimi i përdorimit të saj të panevojshëm. “Duhet të bëjmë dallimin mes përdorimeve të domosdoshme dhe atyre të dëmshme si plastika njëpërdorimshe që përbën rreth 40% të prodhimit global,” tha ai.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara, nën ndikimin e ish-presidentit Trump, vazhdojnë të kundërshtojnë marrëveshjet mjedisore ndërkombëtare, ekspertët mbeten skeptikë për rezultatet e negociatave në Gjenevë. Megjithatë, mbështetja për faza graduale të eliminimit të plastikës më të rrezikshme po rritet, me vende si Brazili që kanë marrë rol udhëheqës në procesin negociator./abcnews.al