Platforma “Superpuna”/ Bizneset: Super dështim!

Më 6 shkurt bëhet dy vite nga lansimi i platformës “Super-puna”, përmes së cilës ekzekutivi i vendit i subvencionon punëdhënësit duke paguar pagën e punëtorit për gjashtë muaj në vlerë prej 264 eurosh neto. Punëdhënësi ka të drejtë ta shtojë vlerën e pagës për punëtorin e angazhuar. Përmes platformës “Super-puna” pas periudhës gjashtëmujore, punëdhënësi mund

Platforma “Superpuna”/ Bizneset: Super dështim!

Më 6 shkurt bëhet dy vite nga lansimi i platformës “Super-puna”, përmes së cilës ekzekutivi i vendit i subvencionon punëdhënësit duke paguar pagën e punëtorit për gjashtë muaj në vlerë prej 264 eurosh neto. Punëdhënësi ka të drejtë ta shtojë vlerën e pagës për punëtorin e angazhuar.

Përmes platformës “Super-puna” pas periudhës gjashtëmujore, punëdhënësi mund të mbajë në punë punëtorin, duke nënshkruar kontratë të re, por edhe ta largojë.

Megjithëse nga Qeveria “Kurti” kjo platformë është proklamuar si e suksesshme, përfaqësuesit e bizneseve e thonë të kundërtën, duke kritikuar pushtetin për mos ekzekutimin e subvencioneve për t’i paguar punëtorët e punësuar nëpërmjet platformës.

Ndonëse bizneset po ankohen për vonesat e transferimit të mjeteve financiare nga Ministria e Financave për punëtorët që po i angazhojnë nëpërmjet “Superpunës”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë ka premtuar se nëse fiton mandatin e qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, do të krijohet platforma “Superpuna për Gratë”, e cila do të garantojë pagën minimale për 6 muajtë e parë për bizneset që punësojnë gra.

Kreu i OEK: Mos ekzekutimi i subvencionimeve për “Super Punën”, ngarkesë për bizneset

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se ka pasur ankesa nga bizneset për mos subvencionimin e mjeteve financiare nga Ministria e Financave për platformën “Super-puna”.

Ai deklaron për “Front Online” se kjo paraqet ngarkesë të re për bizneset.

“Ka pasur ankesa që nuk ju ka dalë mjetet kompanive. Kërkesa jonë ka qenë që me ju përmbajtë kornizës ligjore që mjetet me ua bartë sepse biznesi është dashtë t’i paguaj e ka qenë ekstra një ngarkesë për biznesin”, u shpreh Rafuna.

Kryetari i AKB-së kritikon Qeverinë: Super-puna nuk pati efektin e premtuar

Agim Shahini , kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ka deklaruar për “Front Online” se platforma “Super-puna” u proklamua nga Qeveria si sukses i madh, por, siç thotë ai, nuk pati efekt.

 “Projekti super-puna e proklamuar nga Qeveria si sukses i madh edhe ne kemi dashtë ta pranojmë që do të ketë sukses, por duke ditur që këto platforma që rrugës ndryshojnë destinacionin nuk e arrinë suksesin e kemi parë me skepticizëm”, u shpreh ai.

Shahini thotë se projektet që nuk mund t’i mbajë nuk duhet t’i nisë Qeveria.

Ai madje thekson se shumë bizneseve nuk janë subvencionuar nga Ministria për punëtorët që kanë punësuar nga platforma në fjalë.

“Kemi parë shumë biznese të cilat kanë marr punëtorë përmes këtij projekti nuk e kanë marr pjesën nga Qeveria të pagesës. Qeveria nuk duhet të nisë projekte por duhet ti mbajë e ti përfundojë me sukses”, deklaroi Shahini.

Dreshaj: Bizneset po përballen me vonesa të shumta të subvencionimeve nga Qeveria

Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, vlerëson se platforma “Super-puna” s’ka ndikim në zhvillimin ekonomik.

“Platforma “Super Puna” ka qenë një iniciativë që fillimisht ka pasur qëllime të mira, por nuk po sjellë ndikim të mjaftueshëm në zhvillimin ekonomik të vendit”, thotë ai.

Sipas Dreshaj problemi kryesor i kësaj platforme është vonesa e subvencionimeve për bizneset.

“Problemi kryesor është vonesa e subvencionimeve. Bizneset janë duke u përballur me sfida dhe pasiguri, pasi që Qeveria nuk po paguan në kohë. Mungesa e stabilitetit në këtë aspekt është e dëmshme për çdo sektor”, vlerësoi Dreshaj.

Dreshaj thotë se ky projekt nuk është i qëndrueshëm për ekonominë e Kosovës.

“Duhet të ketë investime më të mëdha, si nga sektori publik, ashtu edhe nga ai privat për të pasur ndikim të vërtetë. Platforma Superpuna nuk mjafton për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme”, u shpreh ai.

“Front Online” i ka dërguar pyetje Ministrisë së Financave në lidhje me vonesat e pagesave për bizneset që kanë angazhuar punëtorë nëpërmjet platformës “Super Puna”, por të njëjtit nuk janë përgjigjur./Front Online