Prattipati: Kosova është shteti më pro-amerikan në botë

Anu Prattipati: Kosova është vendi më pro-amerikan në botë
E ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka falënderuar qytetarët e Kosovës për mbështetjen dhe miqësinë e tyre ndaj SHBA-së, duke deklaruar se nuk njeh asnjë shtet tjetër në botë që është më pro-amerikan se Kosova.
Në manifestimin festiv “Thank You USA”, të organizuar nga Kryeqyteti me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, Prattipati tha se ndihet e privilegjuar që po e shënon 250-vjetorin e pavarësisë amerikane pikërisht në Kosovë.
“Jam aq e emocionuar dhe e prekur nga mikpritja që kemi marrë këtë javë, këtë muaj dhe realisht gjatë gjithë kohës sime që kam qenë këtu. Më 28 korrik bëhen dy vjet që kur kam mbërritur në Kosovë dhe ka qenë një nder i jashtëzakonshëm për mua që të festoj 250-vjetorin e Pavarësisë Amerikane këtu. Mendoj se jam një nga diplomatët më me fat në Shërbimin e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara që pata mundësinë ta festoj këtë përvjetor në Kosovë”, u shpreh ajo.
Prattipati tha se gjatë shërbimit të saj në vende të ndryshme të botës nuk ka parë një popull me afërsi më të madhe ndaj SHBA-së sesa qytetarët e Kosovës. “Më keni dëgjuar ta them edhe më parë, por sonte e them me gjithë zemër. Nuk njoh asnjë shtet tjetër në botë – dhe kam shërbyer e jetuar në shumë vende – por Kosova me të vërtetë është shteti më pro-amerikan në botë”, theksoi ajo.
Diplomatja amerikane vlerësoi aktivitetet e organizuara në Kosovë për shënimin e 250-vjetorit të SHBA-së, duke thënë se ato janë dëshmi e një miqësie të sinqertë mes dy popujve. “Gjithçka që keni bërë këtu në këtë vend për të nderuar Shtetet e Bashkuara më ka prekur jashtëzakonisht shumë. Kjo valë dashurie, afërsie, mirënjohjeje dhe falënderimi do të thotë shumë për Shtetet e Bashkuara dhe për mua personalisht”, deklaroi Prattipati.
Ajo theksoi se edhe Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë dhe ia kthejnë Kosovës këtë besim e miqësi, duke kujtuar mbështetjen amerikane për shtetformimin e Kosovës. “Shtetet e Bashkuara ia kthejnë këtë afërsi dhe lojalitet. Ne e dinim në vitin 1999 se Kosova ishte gati të bëhej shtet. E dinim edhe në vitin 2008 se kishte ardhur koha që Kosova të ishte një shtet i pavarur, sovran dhe multietnik, që të zinte vendin e saj në bashkësinë ndërkombëtare”, tha ajo.
Prattipati pranoi se mes dy vendeve kanë pasur raste kur janë shfaqur mospajtime, por theksoi se ato nuk e kanë lëkundur partneritetin strategjik. “Po, kemi pasur mosmarrëveshje dhe çështje ku ndonjëherë nuk jemi pajtuar, por në përgjithësi Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë bërë aq shumë së bashku. Kemi qenë partnerë, kemi ndarë vlera dhe kemi arritur gjëra të mëdha”, shtoi ajo.
E ngarkuara me Punë e SHBA-së shprehu bindjen se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve do të vazhdojnë të forcohen edhe në të ardhmen. “Shpresojmë që edhe në 250 vitet e ardhshme këto lidhje të vazhdojnë, jo vetëm për shkak të marrëdhënieve mes dy qeverive, por për shkak të njerëzve si ju që jeni këtu sonte”, tha Prattipati.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se miqësia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara nuk festohet vetëm më 4 Korrik, por përfaqëson një vlerë që nderohet çdo ditë. Ai theksoi mirënjohjen e qytetarëve të Prishtinës dhe të gjithë Kosovës për mbështetjen amerikane ndër vite.
Me pak fjalë
Anu Prattipati, përfaqësuese e SHBA-së në Kosovë, ka vlerësuar se Kosova është shteti më pro-amerikan në botë, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen e tyre të pandërprerë ndaj Amerikës. Ajo ka theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së janë të forta dhe se do të vazhdojnë të zhvillohen në të ardhmen.
Personat e përmendur
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



