“S’po e prekim drejtësinë”, Hoxha shpjegon nismën për ndryshimin e Ligjit për Specialen

“S’po e prekim drejtësinë”, Hoxha shpjegon nismën për ndryshimin e Ligjit për Specialen

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka folur për projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hoxha ka ngritur çështjen e aplikimit të ligjit më të favorshëm gjatë shqiptimit të dënimeve, duke theksuar se kjo, sipas saj, është një çështje që nuk është diskutuar sa duhet.

“Ne kemi dëgjuar në shumë momente gjyqtarët duke thënë se, në aspektin e proceseve juridike, kur shqiptohet dënimi përdoret ligji më i favorshëm”, ka deklaruar Hoxha në Klan Kosova.

Ajo ka përmendur edhe legjislacionin e ish-Jugosllavisë dhe Kodin Penal të asaj kohe, duke thënë se dënimi maksimal për raste të caktuara mund të ketë qenë 15 vjet.

“Kur është trajtuar rasti në fjalë, në fuqi kanë qenë ligjet e ish-Jugosllavisë dhe Kodi Penal i ish-Jugosllavisë, i cili dënimin më të madh e prek deri në 15 vjet. Pra, kjo është një nga çështjet që nuk e flet askush”, është shprehur ajo.

Hoxha ka folur edhe për raportin ndërmjet Dhomave të Specializuara dhe institucioneve të drejtësisë në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e rolit të Gjykatës Kushtetuese.

“Dhomat e Specializuara dhe Dhoma Kushtetuese janë bartje e juridiksionit të Kosovës në nivel ndërkombëtar, por Gjykata Kushtetuese nuk mund të minimizohet, sepse Dhoma Kushtetuese nuk mund të jetë mbi Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë deputetja e PDK-së.

Sipas saj, meqë Dhomat e Specializuara janë themeluar përmes Kushtetutës dhe ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, ndryshimi ose plotësimi i ligjit nuk duhet të shihet domosdoshmërisht si cenim i pavarësisë së drejtësisë.

“Dhomat e Specializuara janë themeluar me Kushtetutë dhe me ligj në Kuvendin e Kosovës. Nëse Kuvendi i Kosovës mendon që ka dalë jashtë juridiksionit dhe domenit kushtetues dhe ligjor për të cilin është themeluar Gjykata, unë nuk shoh ndonjë problem pse riamandamentimi apo plotësim-ndryshimi i ligjit mund ta cenojë pavarësinë”, ka deklaruar Hoxha.

Ajo ka theksuar se qëllimi i ndryshimeve të propozuara, sipas saj, nuk është ndërhyrja në drejtësi, por garantimi i trajtimit të barabartë dhe drejtësisë për të gjitha palët.

“Kërkesa jonë nuk është ta prekë drejtësinë, por kërkesa e vetme është që, në emër të viktimave dhe drejtësisë për viktimat, të mos cenohet pala tjetër dhe të ketë drejtësi edhe për akterët tjerë që janë aty”, ka thënë Hoxha.

The post “S’po e prekim drejtësinë”, Hoxha shpjegon nismën për ndryshimin e Ligjit për Specialen appeared first on InfoShqip.com.


Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.