Prorusi, jashtë zgjedhjeve/ Rumani, ndalohet kandidimi i ekstremistit për President. Protesta në Bukuresht

Bukureshti u përfshi  nga kaosi mbrëmjen e të dielës, pasi mbështetësit e Călin Georgescu u përleshën me policinë pas vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor për të mos lejuar kandidimin e tij në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në muajin maj. Qindra mbështetës të Georgescu u mblodhën përpara zyrave të Komisionit në kryeqytet, duke brohoritur [...]Read More...

Prorusi, jashtë zgjedhjeve/ Rumani, ndalohet kandidimi i ekstremistit për President. Protesta në Bukuresht

Bukureshti u përfshi  nga kaosi mbrëmjen e të dielës, pasi mbështetësit e Călin Georgescu u përleshën me policinë pas vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor për të mos lejuar kandidimin e tij në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në muajin maj.

Qindra mbështetës të Georgescu u mblodhën përpara zyrave të Komisionit në kryeqytet, duke brohoritur “Liri, liri!”. Në një moment tensioni, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa disa protestues hodhën gurë dhe shishe drejt forcave të sigurisë.

Të paktën katër persona janë arrestuar, ndërsa u shkaktuan deme të mëdha materiale. Policia solli përforcime dhe rrethoi zonën për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Călin Georgescu, një politikan i ekstremit të djathtë dhe i njohur për qëndrimet e tij pro-ruse, ishte surpriza e zgjedhjeve të nëntorit, ku arriti të kryesojë raundin e parë të votimit. Por disa ditë përpara raundit të dytë, Gjykata Kushtetuese anuloi rezultatet, pas zbulimit të një fushate ndikimi nga Rusia përmes rrjeteve sociale.

Sipas autoriteteve, 800 llogari në TikTok të lidhura me Rusinë kishin promovuar fushatën e tij. Me këtë argument, Komisioni Qendror Zgjedhor e përjashtoi ate nga gara kete te diel , duke arsyetuar se Georgescu kishte “shkelur detyrimin për të mbrojtur demokracinë”.

Në një reagim të menjëhershëm, Georgescu e quajti vendimin një “sulm të drejtpërdrejtë ndaj demokracisë” dhe njoftoi se do ta ankimonte brenda afatit 24-orësh. Ai ka mohuar çdo lidhje me Moskën dhe pretendon se është viktimë e një komploti politik. Ceshjta Zhorzhesku ka sjelle edhe reagim Amerikan pasi muajin e shkuar Zv Presidenti J Vance kritikoi anulimim e zgjedhjeve duke e quajtur vendimin te pabazuar ne arsyetim logjik. Edhe miliarderi Elon Musk ka ndërhyrë në  këtë debat, duke postuar në rrjetet sociale se ndalimi i Georgescu ishte “i çmendur” dhe një shkelje e të drejtave demokratike.

Nga ana tjetër, qeveria rumune mbron vendimin, duke theksuar se veprimet e institucioneve synojnë të mbrojnë integritetin demokratik të vendit dhe të parandalojnë ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore. Tani sytë janë kthyer nga Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të vendosë brenda 72 orësh nëse Georgescu do të ketë një shans tjetër për të marrë pjesë në garën presidenciale, apo nëse ky është fundi i rrugëtimit të tij politik.