Putin thotë se është i gatshëm për bisedime të paqes, por jo me Zelenskyn

Presidenti rus, Vladimir Putin, edhe një herë ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të cilin e quajti “jolegjitim”. Kjo deklaratë nxiti udhëheqësin ukrainas që ta akuzjë Putinin se ka “frikë” që të negociojë një zgjidhje për luftën pothuajse 3-vjeçare. “Mund të negocioni me këdo, por për shkak [...]Read More...

Putin thotë se është i gatshëm për bisedime të paqes, por jo me Zelenskyn

Presidenti rus, Vladimir Putin, edhe një herë ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të cilin e quajti “jolegjitim”. Kjo deklaratë nxiti udhëheqësin ukrainas që ta akuzjë Putinin se ka “frikë” që të negociojë një zgjidhje për luftën pothuajse 3-vjeçare.

“Mund të negocioni me këdo, por për shkak të jolegjitimitetit të tij, ai [Zelensky] nuk ka të drejtë që të nënshkruajë asgjë”, tha Putin për televizionin shtetëror rus, Rossiya 1TV, mbrëmjen e 28 janarit.

Ai shtoi se do të “caktojë njerëz që të marrin pjesë” në negociata nëse Zelensky do të ishte prezent, në vend të mbajtjes së bisedimeve kokë më kokë.

Putin disa herë ka deklaruar se ai nuk e konsideron Zelenskyn si udhëheqës legjitim, pasi që mandati pesëvjeçar presidencial i tij është dashur të përfundojë më 20 maj të vitit 2024.

Zgjedhjet do të duhej të mbaheshin më 31 mars të vitit të kaluar, por u shtynë pasi shteti ende ka në fuqi gjendjen e luftës, për shkak të pushtimit të nisur nga Moska.

Zelensky, i cili sipas Kushtetutës duhet të vazhdojë të shërbejë derisa të zgjidhet një president i ri, iu përgjigj pretendimit të Putinit, duke thënë se udhëheqësi rus është pengesa për bisedimet për dhënien fund të luftimeve.

“Sot, Putini edhe një herë e konfirmoi se ai ka frikë nga negociatat, frikë nga udhëheqësit e fuqishëm dhe bën gjithçka që mundet për ta prolonguar luftën”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.