Rafuna: Dalja në tregun e lirë të energjisë të përcillen me subvencionim prej 50 milionë € nga shteti, mos të dëmtohen bizneset dhe konsumatorët

Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka bërë të qarta kundërshtimet e fuqishme të komunitetit të bizneseve ndaj vendimit për kalimin në tregun e lirë të energjisë elektrike nga 1 qershori 2025. Ai ka thënë se bizneset janë vendosur përballë një trysnie të padrejtë dhe të paarsyeshme, pasi, siç thotë ai, ofertat


Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka bërë të qarta kundërshtimet e fuqishme të komunitetit të bizneseve ndaj vendimit për kalimin në tregun e lirë të energjisë elektrike nga 1 qershori 2025. Ai ka thënë se bizneset janë vendosur përballë një trysnie të padrejtë dhe të paarsyeshme, pasi, siç thotë ai, ofertat që kanë marrë deri më tani për furnizim me energji elektrike në tregun e hapur janë nga 220% deri në 400% më të shtrenjta se çmimet aktuale.

‘’Bizneset dëmtohen shumë nga kalimi në treg të hapur sepse deri tani ofertat që i kanë pranuar shkojnë prej 220-400% më shtrenjtë’’, tha Rafuna për FrontOnline.

Sipas Rafunës, problemi nuk qëndron te mungesa e përgatitjes së bizneseve, por te fakti që vetë tregu nuk është  i përgatitur. Sipas tij, para se të kërkohet që sektori privat të kalojë në treg të lirë, institucionet duhet të kishin krijuar një infrastrukturë funksionale dhe kushte të barabarta konkurruese. Ai thekson se dalja në tregun e lirë duhet të bëhet me vullnet dhe në kushte të favorshme për të gjetur energji më të lirë, jo më të shtrenjtë, ndërsa në këtë rast po ndodh pikërisht e kundërta.

‘’Qëllimi i daljes në treg të lirë është të gjejmë energji elektrike më lirë sesa që e kemi dhe këtu po ndodh e kundërta,në treg të lirë dilet me vullnet dhe shteti duhet ti kishte krijuar kushtet këtu po detyrohen më dhunë të dilet nga 1 qershor dhe shumë më shtrenjtë se tani ‘’, deklaroi Rafuna.

Rafuna ka bërë thirrje për reflektim të menjëhershëm nga institucionet dhe ka paralajmëruar se, në mungesë të një reagimi, këshilli protestues do të mblidhet për të vendosur për hapat dhe protestat e ardhshme.

‘’Ne presim që të kemi reflektim të shpejtë nga ana e institucioneve nëse nuk ka këshilli protestues do të ulet dhe do të marrë vendim për hapat ose protestat e radhës’’, tha Rafuna.

Në këtë kontekst, OEK ka propozuar një zgjidhje konkrete: subvencionim prej 50 milionë eurosh nga buxheti i shtetit, prej të cilave 15 milionë të ndahen për ndërmarrjet publike dhe 35 milionë për sektorin privat. Rafuna i ka bërë thirrje Kryeministrit Albin Kurti që të mos e transferojë barrën te qytetarët përmes rritjes së çmimit të rrymës, por ta zbusë goditjen ekonomike përmes mbështetjes direkte.

Ai ka theksuar se ka mjete në buxhet dhe me këtë ndërhyrje mund të ruhet stabiliteti ekonomik, të mbrohen bizneset dhe të mos rëndohet më tej qytetari.

‘’ Ne i propozojmë kryeministrit në detyrë që ta subvencionojë me 50 milionë, 15 milionë për ndërmarrjet publike , 35 milionë për sektorin privat dhe ne i themi Kurtit qytetarëve mos ua rrit rrymën por subvencionoji me 50 milionëe sepse ka para në buxhet, me këto para e shpëton ekonominë qytetarin e biznesin’’, përfundoi Rafuna.