Rafuna: Shtrenjtimi i rrymës i godet bizneset e vogla dhe amvisëritë
Kryetari i OEK-së, Lulzim Rafuna, në një prononcim për FrontOnline ka deklaruar se ngritja e çmimit të energjisë elektrike prej 15% ka një ndikim të drejtpërdrejt tek qytetarët, duke ndikuar në faturat e amvisërive dhe të bizneseve të vogla. ‘’Ngritja e çmimit të rrymës prej 15% ka të bëjë drejtpërdrejt me qytetarin, me faturat e

Kryetari i OEK-së, Lulzim Rafuna, në një prononcim për FrontOnline ka deklaruar se ngritja e çmimit të energjisë elektrike prej 15% ka një ndikim të drejtpërdrejt tek qytetarët, duke ndikuar në faturat e amvisërive dhe të bizneseve të vogla.
‘’Ngritja e çmimit të rrymës prej 15% ka të bëjë drejtpërdrejt me qytetarin, me faturat e amvisërisë dhe bizneset e vogla’’, tha Rafuna.
Ai theksoi se kjo rritje do të ketë pasoja negative, duke ulur standardin jetësor të qytetarëve dhe duke rënduar më shumë ata që tashmë paguajnë më shumë për energjinë elektrike. Për bizneset e vogla, rritja e çmimit të energjisë do të ndikojë në prodhim dhe ofrimin e shërbimeve.
‘’Kjo rritje pa dyshim ka efekt sepse ndikon në prodhim, ose ofrimit të shërbimeve sa i përket bizneseve të vogla, kurse varfëron qytetarin, e ul standardin jetësor të qytetarit sepse ai tash paguan 15% më shtrenjtë rrymë sesa që ka paguar’’, deklaroi kryetari i OEK.
Rafuna gjithashtu shtoi se për bizneset e mesme dhe të mëdha, të cilat kanë mbi 50 punonjës dhe një qarkullim mbi 10 milionë euro, rritja e çmimit të energjisë do të jetë më e madhe, madje mund të arrijë deri në 100%, pasi ato do të detyrohen të dalin në tregun e lirë të energjisë nga 1 qershori 2025.
Kjo, sipas Rafunës do të shkaktojë një inflacion të mundshëm dhe një rritje të çmimeve të produkteve, duke bërë që ato të jenë më pak konkurruese në tregun e brendshëm, pasi do të rritet kostoja e prodhimit.
‘’Bizneset e mesme dhe të mëdha, ato që kanë mbi 50 punëtorë dhe kanë qarkullim mbi 10 milionë ato janë të detyruara të dalin në tregun e lirë prej 1 qershorit, dhe tek ato rritja nuk do të jetë 15%, por mund të shkojë edhe deri 100%. Kështu që do ta kemi një inflacion për shkak se do të kemi rritje të çmimet e produkteve tona që prodhohen dhe produktet tona nuk mund të jenë konkurrent me produktet e importuara’’, përfundoi Rafuna.