Remitenca në shtretër të ftohtë

Editorial i publikuar në numrin më të ri të revistës albinfo.ch, nga Dr. Bashkim Iseni, themelues i platformës Albinfo.ch The post Remitenca në shtretër të ftohtë appeared first on Albinfo.

Remitenca në shtretër të ftohtë

Në fillimi të vjeshtës që lamë, kisha rastin për të vizituar për disa ditë pjesën perëndimore të Kosovës. Minibusi kalonte nëpër fshatrat piktoreske të rrethinave të Prizrenit, Malishevës, Rahovecit e Gjakovës. Kishim përshtypjen se nga Kosova kishin ikur të gjithë banorët. Shihje aty këtu ndonjë të moshuar apo ndonjë fëmijë me çantë shkollore. E gjithë kjo të linte përshtypjen se të gjitha ato vise ishin në gjumë, se ishte hapur një kllape në pritje të gjallërisë që do ta sjellë mërgata në pushimet e radhës.

Na binin në sy shtëpi të reja moderne të shumta në numër, me oborre të rregulluara, si nuse të bukura e të stolisura, por që i mbanin sytë e mbyllur: roletat e dritareve ishin të lëshuara në shumë nga ato shtëpi. Ishte një konstatim prekës se mërgimtarët jetën e bëjnë jashtë vendit, ku punojnë dhe japin shumë mund e sakrifica personale e familjare, por kursimet i dërgojnë duke ndërtuar shtëpi në vendlindje, ose duke bërë dërgesa që në opinion njihen me emrin remitenca. Ky koncept i shumëpërfolur përbën një supapë sigurie sociale e ekonomike për qeveritë e vendeve të prejardhjes, të cilat mbështeten në këto të ardhura për ta mbajtur kokën mbi ujin e varfërisë.

Është fakt se shumica e remitencave i destinohen ndërtimit dhe mbajnë gjallë këtë sektor ekonomik që është nyja ekonomike e çdo vendi. Dihet se sektori i ndërtimit është bartës i ekonomisë së një vendi, dhe se kërkesa ashtu si dhe oferta në këtë fushë ekziston falë investimeve të mërgimtarëve, duke blerë banesa apo duke ndërtuar shtëpi e objekte. Mund të jepen vlerësime të ndryshme, kritike, por edhe përbuzëse (“gërnaça”) të këtij realiteti, por duhet të kuptohet se shtëpia për mërgimtarin simbolizon suksesin e tërë një jete sakrificash. Shtëpia ngërthen një emocion të një të çrrënjosuri në kërkim të rrënjëve.

Ky avaz i remitencave nuk do të zgjasë përjetësisht, sidomos me ardhjen e gjeneratave të reja që nuk i ndajnë botëkuptimet me prindërit e tyre në relacion me vendlindjen. Ata nuk kuptojnë se si kursimet e një jetë investohen në patundshmëri, në vend ku ata nuk jetojnë dhe ku nuk i rritet vlera investimit.

Nga ana e politikëbërësve, duhet seriozisht të mendohet se si të ndryshohet kjo qasje ndaj diasporës dhe remitencave që ajo sjell për «shtretër të ftohtë» në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare. Duhet një ofertë konkrete që mjetet e tyre të investohen po ashtu edhe në sektorë ekonomikë ku garantohet investimi nga Shteti i prejardhjes, dhe ku mërgimtarët mund të përfitojnë nga frutet e kursimeve të tyre. Një shembull mund të jetë blerja e aksioneve të sektorëve strategjikë ekonomikë (ndërmarrjet publike) nga diaspora. Por kjo kthesë kërkon profesionistë të politikave publike të tërheqjes së investimeve nga diaspora. Të shpresojmë se kjo dosje nuk do t’iu lihet serish atyre që nuk deshmuan asnjë kapacitet për tu thirrur denjësisht me portfolion e ministrisë së diasporës.

Dr. Bashkim Iseni, themelues i platformës Albinfo.ch

The post Remitenca në shtretër të ftohtë appeared first on Albinfo.