E rëndë në Klinë: Vajza vdes një ditë pasi vëllai dyshohet se ia vuri flakën shtratit

E rëndë në Klinë: Vajza vdes një ditë pasi vëllai dyshohet se ia vuri flakën shtratit

Një grua ka vdekur si pasojë e plagëve të marra nga zjarri, pasi dyshohet se vëllai i saj i kishte vënë flakën krevatit ku ajo po qëndronte.

Rasti ka ndodhur më 6 shtator në fshatin Poterq të Klinës. Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari, i cili kishte probleme të shëndetit mendor, fillimisht i ka vënë flakën krevatit ku ndodhej motra e tij, ndërsa më pas në dhomën tjetër e ka sulmuar me një mjet të fortë edhe nënën e tij.

Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar të dyshuarin, ndërsa të lënduarat fillimisht janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës. Për shkak të natyrës së lëndimeve, ato më pas janë transferuar në QKUK në Prishtinë.

Policia ka njoftuar se sot, më 7 shtator, është informuar se vajza nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra nga zjarri dhe ka vdekur. Vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor.

Ndaj të dyshuarit, me vendim të prokurorit të shtetit, është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Megjithatë, për shkak të gjendjes së rënduar psikike, i dyshuari është vendosur në repartin e psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Pejës, ku po qëndron nën përkujdesjen e personelit mjekësor dhe nën mbikëqyrjen e zyrtarëve policorë.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.