Rinis gjykimi për tragjedinë e “Pulsit”: 13 policët sërish para Gjykatës, të gjithë mohojnë fajësinë

Ka nisur sërish gjykimi ndaj 13 zyrtarëve policorë të akuzuar për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, lidhur me zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, pas ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues.
Nga Gjykata bëjnë të ditur se njëri prej anëtarëve porotë ka njoftuar se, për arsye shëndetësore, nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë në seancat gjyqësore për më shumë se një muaj. Ndërkaq, porotari i dytë ka bërë të ditur se, për shkak të angazhimeve të tjera, nuk do të marrë më pjesë në procesin gjyqësor.
Gjykimin e udhëheq gjyqtarja Fanka Jançuleva Mihajllovska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson prokurorja publike Spasenka Andonova.
“Prokuroria mbetet plotësisht në aktakuzë”, konfirmoi Andonova.
Të akuzuarit Dejan Saltirovski, Vanço Gjorgjevski, Marija Manevska, Tome Donev, Dragan Petrushev, Kire Bogatinov, Stojançe Filipov, Blagica Miteva, Kristina Nikolova, Mazllum Ramadanov, Darko Milloshevski, Martin Arsovski dhe Marijan Radevski u deklaruan sërish para Gjykatës lidhur me aktakuzën.
Të gjithë deklaruan se mbeten në deklaratat e dhëna më herët dhe nuk e pranojnë fajësinë.
Nga Gjykata bëjnë të ditur se provat materiale të administruara deri më tani, si dhe dëshmitarët e dëgjuar, do të merren në procedurën e re. Më pas do të vazhdojë administrimi i provave me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.
Rasti lidhet me zjarrin tragjik që shpërtheu më 16 mars në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa më shumë se 200 të tjerë u lënduan.
Sipas aktakuzës, zyrtarët policorë që ishin në detyrë gjatë periudhës kritike, në të njëjtën kohë ishin të angazhuar edhe në diskotekë, por nuk e ndërprenë argëtimin dhe nuk e penguan përdorimin e mjeteve piroteknike.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



