7 rregulla të pazakonta për mbrojtjen e kafshëve në Zvicër

Në Zvicër ekzistojnë një sërë rregullash për mbrojtjen e kafshëve që mund të duken të pazakonta në shikim të parë, por që synojnë të mbrojnë nevoja specifike të tyre, përcjell albinfo.ch.
Syzet për pulat janë të ndaluara. Pajisjet që kufizojnë shikimin e pulave janë përdorur për të parandaluar pickimin mes tyre, por në Zvicër janë të ndaluara, ashtu si edhe lentet e kontaktit dhe pajisjet që pengojnë pulat ta mbyllin plotësisht sqepin.
Karavidhet duhet të trullosen para se të vriten. Rregulli vlen edhe për krustace të tjerë që ecin. Hedhja e tyre të gjallë në ujë të valë është e ndaluar.
Pëllumbat shtëpiakë duhet të kenë ujë të freskët për larje të paktën një herë në javë. Larja është pjesë e sjelljes së tyre natyrore dhe ndihmon në mirëmbajtjen e pendëve.
Derrat e Indisë nuk duhet të mbahen vetëm. Ata duhet të kenë të paktën një shoqërues të së njëjtës specie. Rregull i ngjashëm vlen edhe për llamat dhe alpakat, ndërsa meshkujt në moshë riprodhuese mund të mbahen veçmas, por duhet të kenë kontakt vizual me kafshë të së njëjtës specie.
Peshqit e akuariumit duhet të kenë vende ku mund të fshihen. Akuariumet duhet të ofrojnë hapësira ku peshqit mund të tërhiqen dhe të mos jenë të ekspozuar nga të gjitha anët.
Trajnimi i qenve nuk duhet të shkaktojë dhimbje apo frikë. Në përgjithësi janë të ndaluara jakat me gjemba, jakat mbytëse pa kufizues, si dhe pajisjet që përdorin goditje elektrike, tinguj të pakëndshëm ose substanca kimike.
Lepujt, brejtësit e vegjël dhe zogjtë e vegjël nuk mund të vendosen në kafaze ku publiku mund t’i prekë gjatë aktiviteteve publike. Kjo masë synon t’i mbrojë nga stresi dhe trajtimi i përsëritur nga vizitorët.
Edhe pse disa prej këtyre rregullave mund të duken të pazakonta, ato janë pjesë e qasjes së rreptë të Zvicrës ndaj mirëqenies dhe mbrojtjes së kafshëve./Albinfo.ch
The post 7 rregulla të pazakonta për mbrojtjen e kafshëve në Zvicër appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



