Rrjete online detyrojnë fëmijë të kryejnë akte brutale, raste konfirmohen edhe në Zvicër

Bëhet fjalë për një fenomen shqetësues ku të miturit joshen fillimisht përmes miqësive apo marrëdhënieve të rreme në rrjetet sociale dhe më pas manipulohen për të kryer veprime gjithnjë e më të dhunshme. Sipas Zyrës Federale të Policisë së Zvicrës (Fedpol), hetimet kanë zbuluar rreth 20 raste në Zvicër, përcjell albinfo.ch.
Rreth dy të tretat e viktimave janë vajza të moshës 12 deri në 18 vjeç, ndërsa një pjesë e autorëve janë gjithashtu të mitur. Sipas Fedpol, të gjitha rajonet gjuhësore të Zvicrës janë të prekura.
Autorët përdorin kryesisht platforma si Instagram dhe Snapchat për të krijuar besim me viktimat. Më pas mbledhin informacione personale, fotografi dhe materiale intime, të cilat përdoren për shantazh. Në disa raste, viktimat janë detyruar të kryejnë akte të rënda dhune, madje edhe të filmojnë vetëvrasjen e tyre.
Autoritetet e përshkruajnë fenomenin si “ekstremizëm nihilist”, pasi grupet nuk udhëhiqen domosdoshmërisht nga një ideologji e përbashkët, por nga glorifikimi i dhunës. Në disa prej këtyre rrjeteve, autorë të sulmeve terroriste paraqiten si “shenjtë” për shkak të veprimeve të tyre.
Fedpol thekson se fenomeni është dinamik dhe se autorët shpesh krijojnë llogari të reja për të gjetur viktima të reja. /Albinfo.ch
The post Rrjete online detyrojnë fëmijë të kryejnë akte brutale, raste konfirmohen edhe në Zvicër appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



