Kopshti zoologjik i Cyrihut planifikon parking nëntokësor me 1200 vende

Kopshti zoologjik i Cyrihut po planifikon një parking të madh nëntokësor me 1200 vende, me synimin për të reduktuar kaosin në trafik që krijohet sidomos gjatë ditëve me numër të madh vizitorësh, transmeton albinfo.ch.
Sipas planit të ri urbanistik për zgjerimin e kopshtit zoologjik deri në vitin 2050, parkingjet që aktualisht janë të shpërndara në zona të ndryshme përreth do të zhvendosen nën tokë. Parkingu i ri është planifikuar të ndërtohet drejtpërdrejt nën fushën sportive ASVZ në Fluntern.
Kopshti zoologjik ka regjistruar një rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve. Vetëm gjatë vitit 2025, ai u vizitua nga rreth 1.3 milionë persona. Një pjesë e tyre udhëton me transport publik, ndërsa shumë të tjerë mbërrijnë me vetura.
Parkingjet aktuale do të zhduken
Sot, rreth kopshtit zoologjik ka gjithsej rreth 1200 vende parkimi, të shpërndara në zona të ndryshme, përfshirë edhe rrugët dhe lagjet përreth. Në ditët e ngarkuara, kjo shkakton kolona të gjata dhe qarkullim të shtuar të automjeteve në rrugët lokale.
Me realizimin e projektit të ri, këto vende parkimi do të zhvendosen nën tokë.
Kostoja e parkingut të ri ende nuk është përcaktuar. Sipas kopshtit zoologjik, planifikimi i detajuar nuk ka përfunduar dhe projekti mund të pësojë ndryshime.
Plani urbanistik do të jetë i ekspozuar për 60 ditë për shqyrtim publik. Për ndërtimin e parkingut nevojitet edhe miratimi i qytetit të Cyrihut, pasi objekti planifikohet të ndërtohet në tokë në pronësi të qytetit. Qeveria e qytetit e mbështet projektin, ndërsa vendimi përfundimtar duhet të merret edhe nga Parlamenti i Cyrihut.
Tramvaji do të zgjatet deri më afër kopshtit zoologjik
Zhvendosja e parkingjeve nën tokë do të lirojë rreth 1.5 hektarë hapësirë në sipërfaqe, mes stacionit aktual të tramvajit dhe hyrjes së kopshtit zoologjik.
Kjo hapësirë pritet të përdoret për përmirësimin e transportit publik. Një nga projektet është zgjatja e linjës së tramvajit, në mënyrë që vizitorët të mund të zbresin më afër hyrjes së kopshtit zoologjik.
Përveç tramvajit, në planet për përmirësimin e qarkullimit në Zürichberg përfshihet edhe një teleferik, i cili synon të kontribuojë në uljen e trafikut të automjeteve në këtë zonë.
Me kombinimin e parkingut nëntokësor dhe zgjerimit të transportit publik, autoritetet dhe kopshti zoologjik synojnë që në të ardhmen të reduktojnë trafikun dhe parkimin në rrugët përreth. /Albinfo.ch
The post Kopshti zoologjik i Cyrihut planifikon parking nëntokësor me 1200 vende appeared first on Albinfo.
Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



