Shasivari takoi ministri irlandez të drejtësisë: Mbështetje për reformat dhe digjitalizimin e drejtësisë

Shasivari takoi ministri irlandez të drejtësisë: Mbështetje për reformat dhe digjitalizimin e drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, zhvilloi një takim bilateral me ministrin e Drejtësisë së Irlandës, Jim O’Callaghan, në kuadër të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, që po mbahet në Budva të Malit të Zi.

Në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve, si dhe për mbështetjen e Irlandës në avancimin e Maqedonisë së Veriut drejt integrimit evropian.
Ministri Shasivari shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës, veçanërisht për angazhimin e saj gjatë Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të këtij partneriteti në realizimin e prioriteteve reformuese.
Ai e informoi homologun irlandez për agjendën reformuese të Ministrisë së Drejtësisë, me theks të veçantë në përgatitjen e Kodit të ri Penal, Ligjit të ri për Procedurën Penale, Ligjit për Prokurorinë Publike, Ligjit për Buxhetin Gjyqësor dhe Ligjit për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe digjitalizimit të drejtësisë. Në këtë drejtim, Shasivari kërkoi mbështetje dhe ekspertizë nga Irlanda për hartimin dhe zbatimin e Strategjisë së TIK-ut për sektorin e drejtësisë, me qëllim modernizimin e shërbimeve, rritjen e efikasitetit dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
Gjatë takimit u theksua gjithashtu rëndësia e Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026 dhe rekomandimeve të tij si udhërrëfyes për zbatimin e mëtejshëm të reformave.
Takimi rikonfirmoi rëndësinë e bashkëpunimit me vendet anëtare të BE-së në procesin e modernizimit të sistemit të drejtësisë dhe përafrimit të tij me standardet evropiane.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.