SHBA, gjykatësi bllokon përkohësisht administratën e Trump që të dërgojë mbi 2000 punonjës të USAID-it me leje të detyruar
Një gjykatës federal bllokoi përkohësisht administratën e Presidentit Trump që të dërgojë me leje të detyruar 2200 punonjës të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Gjykatësi Carl Nichols në Uashington, i cili është emëruar nga Presidenti Donald Trump, pranoi kërkesën e dy shoqatave të punonjësve federale dhe ra dakord për të pezulluar [...]Read More...

Një gjykatës federal bllokoi përkohësisht administratën e Presidentit Trump që të dërgojë me leje të detyruar 2200 punonjës të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Gjykatësi Carl Nichols në Uashington, i cili është emëruar nga Presidenti Donald Trump, pranoi kërkesën e dy shoqatave të punonjësve federale dhe ra dakord për të pezulluar planet për të dërguar punonjësit me leje të detyruar, duke nisur që nga mesnata e së premtes.
Shoqatat e punonjësve federalë ngritën padi duke kërkuar nga gjykata federale që të ndalte mbylljen e USAID-it, me argumentin se Presidentit Donald Trump i mungon autoriteti për të mbyllur një agjenci të krijuar me legjislacion të Kongresit.
“MBYLLENI”, shkroi Presidenti Trump në mediat sociale të premten, duke iu referuar USAID-it.
Të premten, emri i agjencisë, në një tabelë jashtë selisë qendrore të USAID-it në Uashington, u mbulua duke përdorur letër ngjitëse. Po ashtu prej aty u hoq dhe një flamur.
Dikush kishte vënë një buqetë me lule në hyrje të selisë.
Një grup zyrtarësh të USAID-it, prej më pak se 6 vetësh, duke folur për gazetarët të premten, nuk ranë dakord me deklaratat e Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, se për programet më kryesore, jetike, jashtë vendit, po bëheshin përjashtime dhe po vazhdonin.
Me qindra punonjës të detyruar të largohen dhe me mbylljen e financimeve, agjencia “ka pushuar së ekzistuari”, tha një zyrtar.
Administrata e Presidentit Trump dhe aleati i tij Elon Musk, i cili drejton Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë për shkurtimin e buxhetit, janë përqendruar më shumë deri më tani tek USAID-i, në një sfidë të pashembullt për qeverinë federale dhe shumë prej programeve të saj.