Shën Nënë Tereza – shembull i gjallë i dashurisë
Don Marjan Marku: Në vitin 2016 Papa Françesku e shpalli Nënë terezën, Shenjtore. Më 5 shtator, kisha e kremton festën e saj The post Shën Nënë Tereza – shembull i gjallë i dashurisë appeared first on Albinfo.

Me rastin e përvjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës, Don Marjan Marku ka sjellë për lexuesit e albinfo.ch një shkrim të veçantë kushtuar jetës dhe misionit të saj. Në këtë reflektim ai ndalet mbi figurën e shenjtores shqiptare, si simbol i dashurisë, mëshirës dhe shërbimit ndaj njeriut.
Autori, Don Marjan Marku, në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, në Vatikan, me Papën e atëhershëm, Françeskon
Nënë Tereza, me emrin e lindjes Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, në një familje shqiptare katolike. Ajo vet pohoi: “Me gjak jam shqiptare. Me nënshtetësi jam indiane. Me besim jam murgeshë katolike. Sa i përket thirrjes, i përkas botës. Sa i përket zemrës, i përkas krejtësisht Zemrës së Krishtit.” Që në moshë të re ajo ndjeu thirrjen për t’iu kushtuar Zotit dhe shërbimit ndaj njerëzve. Në moshën 18-vjeçare, ajo iu bashkua urdhrit të murgeshave “Loreto” dhe shkoi në Indi, ku mori emrin Tereza.
E gjithë jeta e saj ishte e përkushtuar për të varfërit, të sëmurët dhe të braktisurit. Në vitin 1950 themeloi Urdhrin e «Misionareve të Bamirësisë» në Kalkutë, i cili shpejt u përhap në më shumë se 130 vende të botës, duke hapur spitale, strehimore, qendra kujdesi dhe shkolla. Për këtë veprimtari ajo mori vlerësimin e mbarë botës dhe u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979.
Ja çfarë ka thënë shën Nënë Tereza në Oslo me marrjen e çmimit Nobel.
O Hyj, bëj që unë të jem një mjet i paqes Tënde.
Aty ku është urrejtja, të sjell dashurinë;
aty ku është ofendimi, të sjell faljen;
aty ku është dyshimi, të sjell besimin;
aty ku është dëshpërimi, të sjell shpresën;
aty ku është errësira, të sjell dritën;
aty ku është trishtimi, të sjell gëzimin.
O Hyj, më jep që të kërkoj më shumë të ngushëlloj
sesa të ngushëllohem;
të kuptoj, sesa të kuptohem;
të dua, sesa të dua.
Sepse duke harruar veten, njeriu gjen;
duke falur, njeriu falet;
duke vdekur, njeriu lind për jetën e përjetshme.
Pas vdekjes më 5 shtator 1997, Kisha Katolike filloi procesin e shenjtërimit të saj. Në vitin 2003 Papa Gjon Pali II e shpalli të Lumë, ndërsa në vitin 2016 Papa Françesku e shpalli Shenjtore. Më 5 shtator, kisha e kremton festën e saj.
Nenë Tereza mbetet një figurë e jashtëzakonshme, jo vetëm për Kishën Katolike, por për mbarë njerëzimin. Ajo është simbol i dashurisë, mëshirës dhe përkushtimit ndaj njeriut, duke na lënë një shembull të madh për të jetuar me mirësi dhe zemër të hapur.
Udhëtimi me tren: një “thirrje brenda thirrjes”
Më 10 shtator 1946, gjatë udhëtimit me tren drejt Darjeeling, Nënë Tereza përjetoi një vizion mistik në të cilin Krishti, në kryq, i pëshpëriti me thellësi: “I thirst”- “Kam etje”. Këtë përjetim ajo e quajti më vonë si një “thirrje brenda thirrjes”, që e shtyu të shërbej tek më të varfërit ndër të varfër.
“Kam etje” si themel i misionareve të bamirësisë
Në themel të urdhrit që krijoi, Nënë Tereza kërkoi që qëllimi kryesor të jetë: “të shuhet etja e Jezusit në kryq duke treguar dashuri ndaj njerëzve”. Kjo nuk ishte vetëm një thirrje simbolike, por u shndërrua në themel të Statuteve të Misionareve të Bamirësisë: “The General End of the Missionaries of Charity is to satiate the thirst of Jesus Christ on the Cross for Love and Souls.”
Në çdo kapelë të motrave të saj në botë, fjalët “I THIRST” janë të shfaqura pranë tabernakullit, si kujtesë e pandryshueshme e misionit: të shuash “etjen e Jezusit për shpirtëra, për dashuri, për dashamirësi, për dhembshuri, për dashuri të thellë”.
“I thirst” dhe “You did it to me” — një lidhje shpirtërore
Në një letër të datës 25 mars 1993, Nënë Tereza shpjegoi: “‘I thirst’ është diçka shumë më e thellë se Jezusi që thotë ‘të dua’. … Zemra dhe shpirti i Misionareve të Bamirësisë është vetëm kjo – etja e Zemrës së Jezusit, e fshehur tek të varfërit. … ‘I thirst’ dhe ‘You did it to me’ – kujtoji gjithmonë t’i lidhësh të dyja.”
Kjo thellësi shpjegon se për Nënë Terezën, çdo akt i vogël bamirësie ishte një përgjigje direkte ndaj “etjës hyjnore” të Krishtit – dhe në këtë mënyrë, shuarja e etjes së Tij për dashuri dhe shpëtim.
“Kam etje” – jo për ujë, por për dashuri
Në shumë shkrime të saj, Nënë Tereza theksonte se fjalët “Kam etje” nga kryqi nuk ishin për ujë, por për dashuri, për ne, për dashuri të sinqertë. Siç shkruante:
“Në këtë moment më të vështirë Ai tha ‘Kam etje.’ Dhe njerëzit menduan se Ai kishte etje të natyrshme dhe i dhanë uthull; por nuk ishte për atë etje; ishte për dashurinë tonë, për ndjenjën tonë, për lidhjen tonë me të, dhe për ndarjen e dashurisë së Tij. Dhe është e çuditshme që Ai përdori këtë fjalë. Ai tha ‘I thirst’, në vend të ‘Give Me your love.’”
Po kështu, Nënë Tereza ftonte motrat «Misionaret e Bamirësisë» që të mendonin fjalët “I thirst” si të drejtuara tek secila prej tyre personalisht – “Sister Mary Vincent, I thirst” – duke e bërë thirrjen të gjithpërfshirëse dhe thellësisht personale.
“You did it to me” – Fjala që u shndërrua në mision
Një Ungjill në pesë gishta
Shën Nënë Tereza përmbledhte Ungjillin me diçka të thjeshtë – një dorë të ngritur me pesë gishta dhe fjalët: “You. Did. It. To. Me.” Kjo frazë, e nxjerrë nga Ungjilli i Mateut (25, 40), u bë zemra e misionit të saj: çdo akt dashurie ndaj të varfërve ishte – sipas saj një dashuri dhe veprim i drejtpërdrejtë për Krishtin vetë.
Krishti i varfër – një realitet që preket
Ajo shpjegonte kështu: “The forgotten man in the street … was Jesus bearing that man’s appearance. … That was Jesus under the disguise of the poor.”
Shembulli konkret i njeriut që ishte “gjysmë i ngrënë nga krimbat” por në të cilin ajo pa Krishtin – duke i ofruar kujdes dhe respekt e bën të qartë se për Nënë Terezën, çdo i varfër ishte një mishërim njerëzor i Krishtit.
Dashuri që prek dhe bëhet altari
Ajo nxiste motrat e saj që të shikonin çdo rast shërbimi si një akt liturgjik: I advised them: “During Mass you have seen with what care and tenderness the priest touched the body of Christ … Do the same in the home for dying destitutes.” Kur një novice shpëtoi një njeri në kanal, e ndjeu si prekje e vërtetë e Trupit të Krishtit: “I have been touching the Body of Christ for three hours!”
Po ashtu shembulli i dy motrave që shkuan në qytet dhe të cilat u kthyen pas dy orëve në shtëpi dhe shkuan tek Nënë Tereza dhe i thanë. Nënë, nënë, ne kemi prekur dhe takuar dy orë Krishtin. Ajo i pyeti, çka ka ndodh, çfarë keni bërë. Ati i thonë: kur dualëm në rrugë të madhe pam një njeri të shtruar në tokë. Ishte me plotë krimba dhe varrë. Ishte shumë vështirë që ta preknim, por kur menduam se në atë njeri është Krishti, gjithçka ndryshoj.
Etja hyjnore për dashuri
Në një reflektim më shpirtëror, Nënë Tereza theksonte se Krishti nuk “ishte i etur për ujë”, por për dashuri e për lidhje zemrash: “I was hungry … homeless … lonely … He is the Hungry to be fed. … He is the Lonely to be loved.” Për të, nevojat e njerëzve ishin simbole të vuajtjeve shpirtërore ku Krishti fshihej – të cilit duhet t’i përgjigjeshim në dashuri dhe butësi.
Një thirrje për dashuri të thellë dhe të ndërgjegjshme
Nënë Tereza shpesh ftonte që secili nga ne të ndante momente reflektimi me dorën në gishta, duke pyetur: “What did I do for Jesus today? What did I do to Jesus today? What did I do with Jesus today?” Kjo ishte jo vetëm një ftesë për veprim, por për një dashuri të ndërgjegjshme, të përkushtuar dhe të pranishme në çdo vepër të vogël
Porosia e shën Nënë Terezës nuk ishte vetëm për murgeshat e saj apo për katolikët. Ajo besonte se çdo njeri, me një buzëqeshje, një fjalë të mirë, një akt dashurie, mund të shuajë etjen e Krishtit. Thirrja e saj ishte universale: të duam njëri-tjetrin, duke parë në çdo njeri fytyrën e Krishtit.
Shën Nënë Tereza e jetoi jetën si përgjigje ndaj dy fjalëve të Krishtit: “Kam etje” – etja e Jezusit për dashuri dhe shpirtëra, e shuar përmes shërbimit tek më të varfërit.
“You did it to me” – urdhri ungjillor që çdo akt dashurie ndaj tjetrit është një akt i bërë për Krishtin vetë.
Kështu, jeta dhe misioni i saj na mësojnë se dashuria ndaj Hyjit nuk ndahet nga dashuria ndaj njeriut. Shërbimi i saj ishte një ungjill i gjallë, një dëshmi se në çdo të varfër, të harruar apo të braktisur, është Krishti që pret dashurinë tonë.
The post Shën Nënë Tereza – shembull i gjallë i dashurisë appeared first on Albinfo.