ASH: Me shëndetin e fëmijëve nuk guxon të eksperimentohet

Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka kërkuar transparencë dhe përgjigje të menjëhershme nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me përdorimin e dy loteve të vaksinës BCG në Maqedoninë e Veriut, për të cilat, sipas partisë, janë ngritur dyshime në Kroaci pas shfaqjes së osteomielitit te katër fëmijë. Në reagimin e saj, ASH shpreh shqetësim për faktin se dy lotët e vaksinës së prodhuesit bullgar, të cilat kanë qenë në përdorim edhe në vend, tashmë janë administruar, ndërsa afati i tyre i përdorimit ka përfunduar në qershor. Sipas kumtesës, pas alarmit të ngritur në Kroaci, përdorimi i vaksinës së këtij prodhuesi është pezulluar dhe imunizimi do të vazhdojë me vaksina të një prodhuesi japonez.
Nga ASH vlerësojnë se këto zhvillime hapin një sërë pyetjesh për mënyrën se si institucionet shëndetësore kanë menaxhuar situatën dhe për masat e ndërmarra për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve. “Sa fëmijë në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar me këto dy lote? A janë ndjekur këta fëmijë dhe a është bërë kontroll i posaçëm pas informacionit të ardhur nga Kroacia? Pse opinioni për këtë çështje informohet vetëm pasi alarmi u ngrit në një shtet tjetër?”, pyesin nga Aleanca për Shqiptarët.
Partia konsideron se deklarimet se deri më tani nuk janë evidentuar reaksione të padëshiruara nuk mjaftojnë për të sqaruar shqetësimet e ngritura. Për këtë arsye, kërkon që Ministria e Shëndetësisë të publikojë numrin e saktë të fëmijëve të vaksinuar me lotet në fjalë, rezultatet e kontrolleve dhe analizave eventuale, si dhe masat e ndërmarra pas informacioneve nga Kroacia.
Në reagim, ASH drejton kritika edhe ndaj koalicionit VLEN, duke kërkuar përgjegjësi politike për menaxhimin e institucioneve shëndetësore. “VLEN duhet ta kuptojë se Ministria e Shëndetësisë nuk është vend për improvizime dhe reagime të vonuara. Kur bëhet fjalë për shëndetin e të porsalindurve, institucionet duhet të reagojnë me kohë, me transparencë dhe me përgjegjësi të plotë”, thuhet në kumtesë.
Nga Aleanca për Shqiptarët theksojnë se informimi i plotë dhe në kohë i qytetarëve është veçanërisht i rëndësishëm kur bëhet fjalë për imunizimin e fëmijëve. “Kërkojmë transparencë të menjëhershme dhe përgjigje konkrete. Shëndeti i fëmijëve nuk mund të trajtohet me heshtje dhe sqarime pasi problemi të ketë dalë në publik”, përfundon reagimi i ASH-së.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.



