Zvicra miraton masa të reja për përballimin e ndryshimeve klimatike

Zvicra miraton masa të reja për përballimin e ndryshimeve klimatike

Qeveria Federale e Zvicrës ka miratuar një strategji të re për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, e cila do të zbatohet gjatë periudhës 2026–2031.

Plani përfshin 56 masa në fusha të ndryshme, me fokus në mbrojtjen e popullsisë nga valët e të nxehtit, menaxhimin e burimeve ujore gjatë thatësirave dhe përballimin e fatkeqësive natyrore.

Në kuadër të masave të reja, shërbimi meteorologjik MeteoSwiss do të zhvillojë harta kombëtare të temperaturave të larta dhe skenarë për ngjarje ekstreme. Ndërkaq, Zyra Federale e Shëndetit Publik do të krijojë një qendër ekspertize për forcimin e mbrojtjes së qytetarëve nga rreziqet shëndetësore që lidhen me temperaturat e larta.

Strategjia parasheh gjithashtu përmirësimin e monitorimit të thatësirave, investime në kërkime për shëndetin e kafshëve dhe sigurinë ushqimore, si dhe masa për parandalimin e rreziqeve që lidhen me ndryshimet klimatike.

Megjithatë, ende nuk është arritur marrëveshje për vendosjen e kërkesave minimale për mbrojtjen e punëtorëve që ekspozohen ndaj temperaturave të larta, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë.

Për platformën federale të thatësirave janë paraparë 2,1 milionë franga zvicerane për vitin 2029, ndërsa kostot shtesë për masat shëndetësore vlerësohen në 4,4 milionë franga nga viti 2027.

The post Zvicra miraton masa të reja për përballimin e ndryshimeve klimatike appeared first on Albinfo.


Burimi i lajmit: albinfo.ch
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali Kosova.Today.